Transmetuar më 21-05-2017, 13:24

Mbështetja e të rinjve, biznesit vendas, turizmit, por edhe agroindustrisë, si mundësi reale për zhvillimin e zonave rurale dhe ekonomisë së kryeqytetit, janë disa nga prioritetet e Bashkisë së Tiranës. Në takimin e zhvilluar pasditen e djeshme në Petrelë, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi nevojën për mbështetjen e bizneseve apo sipërmarrësve të rinj, që sjellin më shumë punësim, por edhe më shumë zhvillim.

Teksa solli në vëmendje historinë e Jetmirit, një i ri i cili u rikthye në fshat për të ngritur një biznes të tijin, Veliaj tha se shembuj të tillë duhen të ndiqen edhe nga të rinjtë e tjerë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës shtoi se, që ekonomia lokale të zhvillohet dhe çdokush të gjejë një mundësi për të zhvilluar një ide biznesi edhe në fshat, është e rëndësishme që të inkurajohen nisma të tilla, që të rinjtë të kthejnë besimin te vetja dhe të kuptojnë se largimi drejt Tiranës apo jashtë vendit nuk është e vetmja zgjidhje për ta. Ai solli në vëmendje edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të bashkisë së kryeqytetit për sipërmarrësit e rinj nëpërmjet granteve apo mikrokredive.

“Bashkia e Tiranës e ka një skemë të kredive dhe të granteve për të rinjtë. Nëse shuma është e vogël, ne mund ta japim në formë granti, nëse një nga të rinjtë këtu në Kryezi, Hekal, Petrelë apo kudo ka një ide, të shohim nëse mund ta financojmë. Nëse ideja është investim pak më i madh, kemi edhe një fond të mikrokredive, ku gjithashtu japim mikrokredi për një periudhë afatgjatë me norma interesi thuajse zero, por që të sigurohemi që ai djalë apo vajzë që ka një ide brilante se si mund të gjenerojë të ardhura me ekonominë e fshatit, të ketë mundësi ta bëjë edhe me ndihmën e Bashkisë”, deklaroi Veliaj.

Ai deklaroi se bashkia do të vazhdojë punën për nxitjen e prodhimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale vendase dhe konsumimin e tyre në tregun vendas, si një mënyrë e mirë për zhvillimin e ekonomisë lokale. Për këtë qëllim, ai kërkoi që edhe qytetarët e Tiranës të synojnë të blejnë produktet bio të zonave të Tiranës, pasi vetëm kështu konsumojnë një produkt të shëndetshëm, por edhe ndihmojnë ekonomitë e zonave përreth. /b.l/noa.al/