Transmetuar më 20-05-2017, 15:26

Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, del me deklaratë lidhur me zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa thotë se përkojnë në të njëjtën ditë me Bajramin e madh, pas përfundimit të muajit të Ramazanit.

Në një deklaratë për mediat ditën e sotme, ai tha se dita e Bajramit të madh mendohet të jetë të dielën e 25 qershorit 2017.

“Ndjejmë detyrimin që atmosferën e para Ramazanit i cili nis më 27 maj, dhe gjithë muajin e Ramazit që përkon me fushatën zgjedhore, bëjmë thirrje, kërkojmë nga çdo besimtar të jenë të kthjellët dhe të përkushtuar në devotshmëri për përcjelljen e muajit të Ramazanit ashtu siç i ka hije çdo myslimani”, u shpreh Gurra.

Ai bëri apel ndaj klasës politike që të jenë të kujdesshëm, të matur dhe të krijohet një atmosferë sa paqësore aq dhe komunikative brenda kornizave njerëzore e qytetare në mënyrë që të mos nëpërkëmben e vlerat e Ramazanit.

Sipas Gurrës, e drejta e votës, e përzgjedhjes së atyre që do marrin përgjegjësinë e drejtimit të vendit tonë përkrah kombeve të qytetëruara, është përgjegjësi sa historike aq edhe qytetare e momentit.

“Ne dëshirojmë dhe apelojmë që atmosfera e Ramazanit të jetë sa më paqësore si dhe besimtarët dhe jo besimtarët të vendosin në 25 qershor që fatet e tyre t’i marrë ajo elitë politike e cila do të marrë votëbesimin nga këta qytetarë. I bëjmë thirrje agjëruesve që të jenë të kthjellët në muajin e tyre të begatë si dhe të vendosin lirshëm dhe në mënyrë të plotë, me vullnet të lirë, se cilët duhet ta drejtojnë apo jo shtetin dhe kombin tonë në këto momente”, tha ai.

Shtyrja e zgjedhjeve nga 18 për në 25 qershor pas marrëveshjes mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, solli reagimin e parë kundër nga myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, i cili e cilësoi si cenim të ditës së Bajramit dhe thotë se festat nuk prekeshin as në komunizëm.

Por pas tij reagoi edhe imami i Tiranës, Ahmed Kalaja, i cili kërkoi që data të ndryshohet.

Nëpërmjet një mesazhi në Facebook ai tha se kur e dëgjoi si lajm nuk e mori seriozisht, duke deklaruar se kjo nuk mund të ndodhë.

“Nuk mund të ndodhë as duhet të ndodhë që dita e Bajramit dita e festes gëzimit lumturisë e shpërblimit hyjnor te behet objekt pazaresh, paçavuresh. Dita e Fiter Bajramit te ne myslimanet gëzon shenjtëri te veçantë është ditë pushimi në kalendarin vjetor të myslimanëve po edhe të festave zyrtare të shtetit shqiptar, ndërmarrja e një hapi të tille nga parlamenti do të ishte një ogur i keq martesës se brishtë dhe një tregues se torta e qeverise teknike është e helmuar jo e bekuar”, shkroi ai.

Ai shton se forcat politike kanë kohe për të reflektuar deri të hënën edhe këtë ta marrin në konsideratë përndryshe shprehet imami, për myslimanët do të jetë tepër ofenduese. /a.y/noa.al

Zgjedhjet në ditën e Fiter Bajramit, imami: Ofendim për besimtarët, reflektoni

Zgjedhjet në ditën e Bajramit, irritohet myftiu i Shkodrës: As në komunizëm s’ndodhte