Transmetuar më 19-05-2017, 21:37

Presidenti i sapozgjedhur i vendit, Ilir Meta, i cili më herët ka mbajtur postin e kryetarit të LSI-së, komentoi sonte marrëveshjen Rama-Basha dhe mungesën e koalicioneve parazgjedhore.

Duke folur në programin ‘Zonë e Lirë’ z.Meta tha se LSI nuk dëmtohet nga marrëveshja Rama-Basha që çoi në moskrijimin e koalicioneve parazgjedhore. Sipas tij të vetmet që dëmtohen nga kjo marrëveshje janë disa parti të reja.

Meta tha se nuk do të përsëritet historia e vitit 2008.

“Përmendët vitin 2008, përmendët koalicion. Historia nuk përsëritet dy herë njësoj, nëse në 2008-ën u përjetua si tragjedi tani e përjetojmë si komedi. LSI nuk dëmtohet nga asnjë lloj manovre, sepse të gjitha forcat politike do të garojnë në mënyrë të barabartë, dhe LSI ndihet e sigurt për të dalë forcë e parë. Ndoshta do të dëmtohen disa parti të reja, po kjo nuk është përgjegjësi e LSI-së”, u shpreh Meta.

Meta tha më tej se LSI është e gatshme të krijojë koalicion me çdo parti që do ta bënte garën të shëndetshme. Ai shtoi se LSI asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është kundër koalicioneve. “LSI do të krijonte çdo lloj koalicioni që do ta bënte garën më të shëndetshme. Nuk jemi asnjëherë kundër koalicione, por në çdo rast do gjykojmë sipas rrethanave”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit deklaroi më pas se që kur lindi kriza, LSI ka patur një qëndrim të qartë që sipas tij duhet dialog. “Kemi thënë se PD ka të drejtë për çështjen e drogës, për dekriminalizimin, por jo kërkesat e tjera për qeveri teknike, apo mbajtja e zgjedhjeve në një datë të vonë. Ne ishim pro një qeverie besimi. Dhe praktikisht kështu ndodhi. Rama është kryeministër, dhe Basha propozon disa ministra”, u shpreh Meta.

Meta ka dhënë edhe disa nga arsyet, sipas tij, përse Lulzim Basha u tërhoq vetëm dy ditë më parë nga kërkesat e tij për qeveri teknike dhe pranoi marrëveshjen e arritur me kryeministrin Rama.

“Ka bërë shumë mirë që është tërhequr, dëshiroj të them sepse në fakt duhet të ishte tërhequr një muaj më parë, më mirë vonë se kurrë, ndoshta ndjenja e përgjegjshmërisë. Sipas mendimit tim përveç faktorit ndërkombëtar, dhe mesazhit të SHBA, kanë qenë partitë aleate të PD, ata ishin shumë realist dhe e kuptonin, u dhanë disa garanci që asnjëherë më parë nuk i ishin dhënë një opozite dhe natyrisht s’mund të çohej më tej një krizë që mund të çonte në përleshje me pasoja të paparashikueshme. Reflektuan dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Kjo nuk na ndihmon të kemi zgjedhjet që duhet të kishim shumë çështje të tjera duhet të ishin zgjidhur para një viti”, tha Meta. /b.l/noa.al/