Transmetuar më 19-05-2017, 18:59

Zëvendësi Kryeministri Niko Peleshi, posti i të cilit u prek nga marrëveshja Rama-Basha, u shpreh gjatë një takimi me gra dhe vajza në Korçë se PS ka fituar një betejë për gjeneratën tjetër. Kryesuesi i listës së deputetëve u shpreh se marrëveshja është një tregues se PS nuk ka për qëllim pushtetin.

Ai ka komentuar edhe lëshimet që i janë bërë opozitës duke i ofruar 6 ministra teknik dhe postin e zv.Kryeministrit i cili mbahet nga ai aktualisht. Sipas Peleshit askush nuk duhet të mërzitet pasi PS ka bërë lëshime duke menduar për të "nesërmen".

"PS ka filluar një betejë për gjeneratën tjetër, Shqipëria sot ka bërë hapin e parë drejt Shqipërisë së drejtë. PS e Edi Ramës me guxim dhe vendosshmëri pa u ndalur, ka arritur të kthejë të gjithë kursin e politikës shqiptare drejt Shqipërisë së drejtë, drejt drejtësisë larg asaj që pati ky vend. Politika ka fituar të drejtën e qytetarisë.

Politika është emancipuar. Pushteti nuk është një qëllim më vete nuk është një slogan, por është e vërtetë, pushteti nuk ka kuptim nëse nuk i kthehet. Kuhdo që ndihet i hidhëruar për lëshimet e bëra ndaj opozitës, ne i themi që për PS nuk është qëllim pushteti por e nesërmja", u shpreh Peleshi.

Ndërkohë me të marrë fjalën pas Peleshit kryeministri Edi Rama është shprehur dhe uron që të ketë sa më shumë gra fitimtare në Korçës në këtë garë politike.

“Uroj të kemi sa më shumë gra fitimtare. Çështja nuk është nëse fitojnë gratë, por qëndron nëse këtë fitore ua njohin burrat”. Ndërsa i ka thur elozhe dhe Peleshit duke e quajtur një aset të çmuar për qeverinë. “Niko Peleshi është një aset i çmuar në qeverinë”.