Transmetuar më 19-05-2017, 18:31

Zbardhet vizita në Tiranë e komisionerit për Fqinjësinë e Mirë, Christian Danielsson. Danielsson u takua me kryeministrin Rama, kreun e Kuvendit Meta dhe kryetarin e PD, Basha.

Sipas zyrës së shtypit të delegacionit të BE-së në Tiranë, ai përgëzoi udhëheqësit politikë për shfaqjen e pjekurisë demokratike me arritjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e ngërçit politik. Ai theksoi rëndësinë e zbatimit pa probleme të marrëveshjes.

Komisioneri përsëriti se fillimi i shpejtë i procesit të vetingut është tani kyç për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit Evropian.

"Me rëndësi plotësimi pa probleme i marrëveshjes PD-PS dhe fillimi i procesit të vettingut është kyç për rrugën drejt BE-së", deklaroi Danielsson.

Danielsson shkëmbeu gjithashtu mendime me autoritetet shqiptare për përgatitjet për Samitin e Triestes dhe në veçanti, për forcimin e mëtejshëm të integrimit ekonomik në rajon. U diskutua gjithashtu sesi të nxitet zbatimi i agjendës ndërlidhëse.

Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e Komisionit për të mbështetur zbatimin e planit të veprimit të qeverisë për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës. Danielsson përgëzoi edhe Kreun e Kuvendit Meta për zgjedhjen e tij si President i Republikës. /b.l/noa.al/