Transmetuar më 19-05-2017, 18:12

Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla ishte në mesin e atyre që kryeministri Edi Rama "sakrifikoi" për të arritur m,marrëveshjen me kreun e opozitës Lulzim Basha. Për shkarkimin nga detyra ajo reagon sot me anë të një postimi në rrjetin e saj social Facebook dhe në fakt ka vetëm falenderime. Mes tyre ajo falenderon edhe Kryeministrin Rama që i besoi këtë post.

“Mirënjohje, që falë punës suaj, unë kam marrë meritat. Ndjesë, që për shkakun e sulmeve ndaj meje, ju nuk keni marrë gjithçka meritoni. Jam e bekuar që punova me ju dhe që mundëm të hartonim një reformë sistemike në sistemin tonë arsimor, që nga ai parashkollor e deri në arsimin e lartë. Ju do të mbaheni mend edhe si njerëzit që i dhatë fund një sistemi fiktiv në arsimin tonë të lartë, dukë shembur plot 22 universitete fantazëm, por edhe duke mundësuar një proces akreditimi si kurrë më parë. Mirënjohje”, shkruan Nikolla.

Më tej ajo vijon se në ditë vendimmarrjesh të vështira, gjithmonë është nisur drejt një shkolle për të dëgjuar nga mësuesit dhe parë nga afër rezultatet e arritura apo të munguara.

“Ju kam takuar e dëgjuar në shkolla të rikonstruktuara apo me probleme të mëdha infrastrukturore, në qytet e në fshat, nga veriu në jug. Mirënjohje për atë që më keni dhënë mua personalisht në këtë detyrë të vështirë, për të qenë e vërtetë, për të vëzhguar e dëgjuar, për të folur vetëm me punë, për të kërkuar ndjesë, për të mos u kompleksuar ndaj vështirësive, e mbi të gjitha, për të mos marrë mbi vete merita të paqena. Ne jemi përfshirë në një reformë për të prekur “në çdo centimetër” arsimin. Por ajo duhet të vijojë, pasi kemi ende shumë për të bërë për shkollën që duam”, shtoi ajo.

“Ju sot nuk konkuroheni më nga diploma fiktive të universiteteve fantazmë, që përgatisnin mësues, por as nga studimet part-time. Sot, përmes renditjes në Portalin “Mësues për Shqipërinë”, nuk ju duhet të tregoni tesrën apo xhepin për t’u punësuar, por vetëm meritën. Jeni në përgatitjet e fundit të mbylljes së vitit. Lutem për një vëmendje edhe më të fortë ndaj Maturës Shtetërore. Ju përgëzoj për informimin e çdo maturanti, por ai duhet të vijojë të jetë prioritet i çdo dite. Të mos lëmë asnjë shteg keqinformimi dhe përdorimi të maturantëve nga askush”, shkruan Nikolla.

Ajo nuk ka harruar të shpreh falënderime dhe mirënjohje për sportistët të cilët siç ajo shprehet i dhanë shumë nga pasioni dhe këmbëngulja e tyre. “Krenare që qeveria e Edi Ramës investoi në sport si kurrë më parë, por edhe që e ktheu sportin në një komponentë të rëndësishëm të edukimit. Faleminderit e mirënjohje për çdo socialiste e socialist që më besoi e mbështeti në rrugën e largimit të politikës nga arsimi. Me largimin tim si ministër, mbetet ta vërtetojnë edhe ata që e dyshuan sot në opozitë, por që e instaluan në mënyrën më të shëmtuar dje në pushtet. Faleminderit Edi Rama, për besimin dhe mbështetjen që i dhe një mësueseje me sfidën për të përmbushur pritshmëritë përballë situatave aspak të lehta. Kemi ende shumë për të bërë, por shumë më shumë për të humbur, nëse kthehemi pas”, mbyll postimin Nikolla. /b.l/noa.al/