Transmetuar më 19-05-2017, 15:11

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka folur për paktin Rama-Basha. Ai ka thënë se LSI nuk është e rrezikuar dhe se në mungesë të tij kanë qenë qytetarët të rrezikuar që do të shkonin në zgjedhje pa opozitë. Meta tha se tashmë bulevardi është i lirë dhe se demokracia ecën në bulevard.

“Dua të shpreh kënaqësinë time që sot jemi të gjithë më të qetë, dhe më të lehtësuar se dy ditë më parë kur demokracia ishte buzë greminës. Dhe kështu dua të falënderojë të gjithë aktorët politikë shqiptarë dhe të huaj. Që dhanë kontributin e tyre për të patur zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe që shqiptarët të shkojnë të qetë në zgjedhje dhe me standarde europiane. Kjo është mjaft e rëndësishme për vendin dhe të ardhmen e tij. Tani të gjithë duhet të jenë të qetë sepse tani ka garë dhe padyshim do të ketë surpriza”, u shpreh Meta.

Ai shtoi se LSI do te jete force e pare ne zgjedhje, pasi eshte forca me konstruktive. Ndërsa i pyetur nëse LSI është e rrezikuar, Meta siguroi se LSI është sjellë në mënyrë të përgjegjshme dhe ka qenë forca e parë që ka insistuar për dialog dhe ka qenë e gatshme për krijimin e qeverisë së besimit.

“Tani e kemi. LSI ka qenë e gatshme për të dhënë të gjitha postet. LSI e ka forcën tek rinia dhe jo tek ministrat. Qytetarët do zgjedhin, ka garë dhe demokraci. Zgjedhjet do i garantojnë forcat politike që marrin pjesë. Ne nuk do donim fare krizë, ne do donim që marrëveshja të bëhej muaj më parë, por për fat të mirë bulevardi tashmë është i qetë, Tirana është më e qetë dhe qytetarët tanë do kenë alternativën më të mirë në 25 qershor”, tha Meta.

Gjithashtu Meta është pyetur nga gazetarët nëse është bërë pishman për postin e Presidentit, por ai është përgjigjur duke thënë se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka pse të shqetësohet, pasi u arrit evitimi i rënies së zgjedhjeve dhe demokracisë në humnerë.

“Krizën e zgjidhën të gjithë faktorët përgjegjës dhe jashtë vendit, prandaj jam i qetë që evituam rënien e zgjedhjeve dhe demokracisë në humnerë, tani të punojmë për zgjedhje transparente. Kredencialet demokratike të Shqipërisë janë shumë të rëndësishme”, shtoi Meta. /b.l/noa.al/