Transmetuar më 19-05-2017, 14:17

Marrëveshja e ditës së djeshme mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shkaktoi pakënaqësi në radhët e aleatëve opozitarë, për shkak se bazuar në marrëveshje, në zgjedhjet e 25 qershorit partitë do të regjistrohen të ndara dhe jo në koalicion.

Për këtë arsye ditën e sotme kreu i PD, Lulzim Basha është takuar me aleatët opozitarë.

Mësohet se gjatë saj u diskutua dhe u ra dakord që kryetarët e partive aleate, të futen në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike.

Jo vetëm kaq por emrat e tyre do të jenë në pozicione të sigurta për deputetë. Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, tha pas takimit se kjo nuk ishte zgjidhja më e mirë e mundshme, por se tashmë janë përpara një fakti të kryer. 

Nga ana e tij Agron Duka, i PAA deklaroi se marrëveshja dëmton partitë e vogla dhe mbetet për t’u parë forca.

Ai shtoi se propozimi për t’u futur në listën e PD do të shqyrtohet dhe ende nuk është marrë një vendim, duke thënë se një mandat i duket pak.

Në listat e PD pritet të futen Nard Ndoka i PDK, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehu dhe kryetari i Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule. /a.y/noa.al