Transmetuar më 19-05-2017, 11:50

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili thotë se partia e drejtuar prej tij ofroi gjithçka për të shmangur katastrofën në situatën politike ku ndodhej vendi.

Duke komentuar marrëveshjen e arritur mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, ai deklaroi se me hyrjen e PD në zgjedhje, do të ketë një garë gjithëpërfshirëse.

Vasili tha se LSI ka punuar fort për garantimin e demokracisë dhe legjitimitetin e institucioneve.

Në një konferencë për media nga selia e LSI pak para mesditës së sotme, ai deklaroi se do të ketë një garë të barabartë mes tre forcave kryesore politike dhe LSI beson sot më shumë se dje se do të jetë forcë e parë politike.

Ai e argumentoi këtë bindje se pritet ky rezultat pasi LSI përfaqëson një forcë politike, konstruktive, transparente dhe gjithëpërfshirëse, cilësi themelore që sot më shumë se kurrë ka nevojë Shqipëria.

Vasli shprehu keqardhje që partive të vogla politike u është mohuar e drejta e përfaqësimit në koalicion.

“LSI qartësisht nuk ka asnjë përgjegjësi në këtë gjë, megjithëse kjo nuk e cenon fare, LSI kërkon krijimin e hapësirave politike dhe përfaqësimin sa më të plotë. Objektivi unik është për të qenë forcë e parë në këtë vend, ky rezultat dhe ky pozicionim i LSI në vendin e parë, do e ndihmojë shumë vendin të jetë më i qetë dhe pozitiv”, u shpreh kryetari i LSI.

Ai shtoi se me LSI forcë të parë, nëpërmjet këtij rezultati u jepet shansi gjithë shqiptarëve për një mirëqenie më të lartë, në mënyrë që dita e nesërme të jetë e tyre dhe që gjithë ditët e shqiptarëve të jenë më të qeta.

Pyetjes së gazetarëve se LSI nuk është pyetur për këtë marrëveshje dhe nëse LSI do të rri në qeveri bashkë me PS e PD, Vasili shmangu përgjigjen: “Thelbësore është një çështje dhe vetëm një, ne kemi sot një marrëveshje politike që ka mundësuar një garë elektorale të barabartë dhe ka siguruar legjitimitet institucionesh”.

Sipas tij, gjithë të tjerat janë të parëndësishme dhe sot gjithë përqendrimi i tij dhe i LSI është te objektivi për të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit.

Ai tha më tej se sot ka një situatë më të qartë politike, ku të gjitha forcat politike janë në fushë, dhe se ka një qetësi politike. Vasili shtoi se LSI ka realizuar një objektiv, stabilitetin e vendit, atë që LSI ka pasur konstante, duke ofruar të gjitha pozicionet publike deri te Presidenti.

Ai tha se ndajnë 36 ditë nga zgjedhjet dhe e rëndësishme është të ecet përpara duke marrë mbështetjen e qytetarëve si forcë e parë politike.

I pyetur se nëse LSI del forcë e parë, me kë do qeverisë në zgjedhje, Vasili u shpreh se, “Kemi objektiv të dalim forcë r parë, diskutimet dhe debatet e tjera do realizohen më pas. Tanimë jemi ne në fushë dhe qytetarët përballë nesh”.

Në marrëveshjen e arritur pas takimeve të dy ditëve të fundit mes Ramës dhe Bashës, opozita do të marrë postin e zv.Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministrit të Arsimit, ministrit të Shëndetësisë, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave, ministrit të Drejtësisë, si dhe disa drejtori të rëndësishme.

Bazuar në marrëveshje opozita detyrohet të votojë në Parlament, organet e vettingut. Opozita ka marrë edhe kreun e KQZ, ndërsa edhe Avokati i Popullit, do të jetë propozim i opozitës. /a.y/noa.al