Transmetuar më 19-05-2017, 10:08

Zëvendës Kryeministri Niko Peleshi i cili humbet postin që mban në bazë të marrëveshjes mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e përshëndet arritjen e saj, ndërsa thotë se sot është një ditë e re për Shqipërinë.

Numri 2 i qeverisë shprehet se dje u kthye faqja e tranzicionit të stërgjatë dhe një faqe e re fillon të shkruhet nga sot në historinë e Shqipërisë.

Ai thotë se kriza u kapërcye me impenjimin e ndërkombëtareve, por marrëveshja politike për Shqipërinë e re u arrit me iniciativën dhe guximin e Edi Ramës.

Sipas tij, dje u hoq vija e kuqe që ndan interesat e partive nga interesi afatgjatë i vendit.

Në këtë drejtim shpreh bindjen se sot i fituar është edhe Lulzim Basha dhe Partia Demokratike.

Peleshi deklaron se kjo marrëveshje krijoi parakushtet dhe modelin se si për çështje të mëdha politika duhet të jetë bashkë, duke shtuar se çështjet të mëdha nuk janë idiologjike por logjike, nuk janë të partive tona, por të Shqipërisë.

“Drejtësia, integrimi, pronat, legalizimet, zhvillimi i territorit, decentralizimi, administrata publike, arsimi kane vuajtur nga mungesa e konsensusit politik dhe qasja elektorale. Do të kemi më në fund zgjedhje te pakontestuara dhe të njohura në ditën e parë te numërimit. Do të shkojmë në fushatën zgjedhore jo për të garuar me akuza por me alternativa. Do të premtojmë më të mirën afatgjatë, jo më të lirën afatshkurtër”, shkruan Peleshi në Facebook.

Ai thotë se Edi Rama tregoi pjekurinë e një lideri që është në politikë për të lënë shenjen e vet transformuese në historinë e Shqipërisë, e cila është më e rëndësishme se pushteti.

Ndër të tjera falënderon përzemërsisht të gjithë socialistët dhe shqiptarët që janë forca e vërtete e ndryshimit.

Peleshi shpreh mirënjohje për të gjithë ata që bashkuan forcat me të për të dhënë përulësisht një kontribut modest për Shqipërinë e re.

“Punë më të mëdha dhe më të bukura na presin. Optimist për të nesërmen. Edi Rama për Shqipërinë që duam. PS”, thotë në mbyllje zv.Kryeministri në ikje.

Në marrëveshjen e arritur pas takimeve të dy ditëve të fundit mes Ramës dhe Bashës, opozita do të marrë postin e zv.Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministrit të Arsimit, ministrit të Shëndetësisë, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave, ministrit të Drejtësisë, si dhe disa drejtori të rëndësishme. /a.y/noa.al