Transmetuar më 19-05-2017, 09:29

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi një ditë pas marrëveshjes së arritur mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se sot Shqipëria është më e qetë.

Ajo shprehet se tashmë loja do bëhet më e bukur sepse të gjithë lojtarët janë në fushë. “Legjitimiteti i zgjedhjeve do ravijëzojë LSI forcë të parë, e cila iu jep shansin shqiptarëve për më shumë punë, më shumë arsim, më shumë mirëqenie. Motorët janë ndezur! Ne nuk ndalemi më në rrugën tonë për t’iu dhënë shansin të gjithë shqiptarëve e jo vetëm një grushti të vogël”, shkruan Kryemadhi në Facebook.

Në marrëveshjen e arritur pas takimeve të dy ditëve të fundit mes Ramës dhe Bashës, opozita do të marrë postin e zv.Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministrit të Arsimit, ministrit të Shëndetësisë, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave, ministrit të Drejtësisë, si dhe disa drejtori të rëndësishme.

Bazuar në marrëveshje opozita detyrohet të votojë në Parlament, organet e vettingut. Opozita ka marrë edhe kreun e KQZ, ndërsa edhe Avokati i Popullit, do të jetë propozim i opozitës. /a.y/noa.al