Transmetuar më 19-05-2017, 08:40

Ndërsa prej pak orësh çadra e protestës së opozitës është hequr nga bulevardi, duke rikthyer qarkullimin normal të automjeteve, Kryeministri Edi Rama bën ironi.

“Jepet çadër me qera, për evente, dasma dhe protesta! Tre muaj e përdorur, në gjendje të mirë teknike… full options, biles edhe me pamje nga Kryeministria!!”, shkruan Rama në Facebook.

Ai uron “mirëmëngjes”, me atë që e quan kartolinë ekskluzive, duke ju uruar gjithë qytetarëve e vizitorëve të Tiranës sot, hapjen e bulevardit ku rikthehet jeta normale.

“Tanimë është hapur edhe rruga e Vetingut për të cilin luftuam aq fort së bashku dhe duke uruar një ditë të mbarë për të gjithë, ju siguroj se siç luftuam e fituam për Vetingun, do të luftojmë e fitojmë për rritjen e mëtejshme të ekonomisë e punësimit. Për Shqipërinë që duam, me shtet, punë dhe mirëqenie”, shkruan më tej kreu i qeverisë.

Heqja e çadrës së opozitës vjen u bë pas marrëveshejs së arritur mes Kryeministrit me kreun e opozitës Lulzim Basha.

Në marrëveshjen e arritur pas takimeve maratonë të dy ditëve të fundit mes Ramës dhe Bashës, opozita do të marrë postin e zv.Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministrit të Arsimit, ministrit të Shëndetësisë, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave, ministrit të Drejtësisë, si dhe disa drejtori të rëndësishme.

Bazuar në marrëveshje opozita detyrohet të votojë në Parlament, organet e vettingut. Opozita ka marrë edhe kreun e KQZ, ndërsa edhe Avokati i Popullit, do të jetë propozim i opozitës. /a.y/noa.al