Transmetuar më 18-05-2017, 19:40

Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Ministrinë e Brendshme italiane.

Ministri i Brendshëm i Italisë Marco Minniti, vlerësoi punën e deritanishme nga pala shqiptare kundër mbjelljes së kanabisit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe bashkëpunimit shumë të mirë mes dy vendeve në fushën e sigurisë.

Minniti shprehu konsiderata për bashkëpunimin midis dy policive, por theksoi se ai duhet të thellohet e forcohet më tej, kryesisht në luftën kundër trafiqeve të paligjshme, lëndëve narkotike, qenieve njerëzore si dhe emigracionit të paligjshëm.

Nga ana e tij Xhafaj shprehu mirënjohje të thellë ndaj mbështetjes që Qeveria italiane i ka dhënë Shqipërisë nëpërmjet misioneve të saj Interforza, Guardia di Finanza dhe PAMECA, e cila edhe në misionin e saj të 5-të udhëhiqet nga përfaqësues të Policisë italiane.

Ministri i Brendshëm i kërkoi homologut Minniti që Qeveria italiane të luajë një rol mbështetës në prioritetet që ka Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, jo vetëm sa i përket bashkëpunimit dypalësh, por edhe atij europian.

Lidhur me prioritetet e përbashkëta që u diskutuan në takim, u vendos të krijohej një grup pune i përbashkët i dy ministrive për përgatitjen e disa marrëveshjeve të rëndësishme dypalëshe, si: marrëveshje në luftën kundër terrorizmit; marrëveshje në luftën kundër mbjelljes dhe trafikimit të lëndëve narkotike; marrëveshje në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve të drejtësisë; marrëveshje në fushën e turizmit (kryesisht në menaxhimin e përbashkët të kontrollit kufitar), marrëveshje në fushën e migracionit të paligjshëm (kryesisht të fëmijëve të mitur të pashoqëruar), si dhe binjakëzimin e Akademive të Sigurisë.

Ministri Xhafaj gjithashtu gjatë vizitës në Itali zhvilloi një takim me Prokurorin e Drejtorisë Kombëtare të Antimafias, Franco Roberti.

Në takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm, u diskutua mbi reformën në drejtësi, si dhe u ra dakord për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella dypalëshe, kryesisht në drejtim të hetimeve të përbashkëta në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe grupeve të strukturuara kriminale.

Prokurori Roberti shprehu gatishmërinë maksimale për të bashkëpunuar me palën shqiptare në drejtim të luftës së përbashkët në fushën e sigurisë.