Transmetuar më 18-05-2017, 19:28
Publicitet

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas marrëveshjes së arritur me Kryeministrin Edi Rama, rreth orës 19.15 të pasdites së sotme mbërriti në çadrën e protestës për të informuar demokratët mbi gjithçka ishte arritur.

Ai tha se plot 90 ditë më parë nisi një rrugëtim epik, qytetar, demokratik, europian dhe i vendosur për të mos pranuar më me kokën poshtë gjendjen e mjerë të vendit, për të treguar të vërtetën e familjeve shqiptare dhe botës mbarë të vërtetën e dhimbshme të Shqipërisë me zgjedhjet e drogës, krimit dhe korrupsionit.

Basha deklaroi se për 90 ditë me radhë demokratët treguan se shpresa nuk ka vdekur dhe se drita e së vërtetës dhe drita e forcës së pathyeshme të një populli të tërë për demokraci të vërtetë do ndriçojë anë e mbanë atdheun.

“90 ditë më parë ne u mblodhëm në një vend pa shpresë dhe pa zot, me kurajën e kësaj lëvizje, këtij bashkimi të madh të shqiptarëve, për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nisëm qëndresën tonë të bashkuar. 90 ditë më parë ju ishit shpirti i qëndresës, refuzimi i së keqes. Deri më sot ju ishit shpresa e çdo shqiptari dhe Shqipërisë, por sot, ju, ne, jemi e ardhmja e Shqipërisë evropiane”, u shpreh Basha.

Sipas tij, lëvizja e opozitës shembi sot muret e kështjellës së mykur të Republikës së vjetër.

Basha deklaroi se 37 ditët e ardhshme, lëvizja e opozitës, nuk do të ulet, nuk do të shpërndahet, por do të marshojë në çdo cep të Shqipërisë.

Ai tha se kështjella e Republikës së vjetër do të rrëzohet përfundimisht me bashkimin e zemrave fitimtare. Në këtë linjë shtoi se kurrë më parë në këto 27 vite, nuk ka njohur Europa një bashkim të tillë zemrash e vullnetesh, si lëvizja e pathyeshme dhe e pamposhtur e opozitës.

Kreu i PD, tha se lëvizja nuk filloi për interesa politike, të një partie apo një personi, por se nisi për t’i kthyer pushtetin qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve shqiptarë do u kthehet.

“Beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme u kurorëzua sot, jo me rrëzimin e qeverisë, por vetëm gjysmës së saj, me garanci të cilat duhet të zbatohet nga fillimi deri në fund. Por beteja jonë për zgjedhje të lira e të ndershme nuk përfundon këtu. Kjo është vetëm nxemja, ndeshja fillon pas një jave dhe ne marshojmë drejt fitores”, tha Basha, duke lajmëruar nisjen e fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit.

Ai u shpreh i vendosur për të vazhduar deri në fund projektin e asaj që e quajti Republikë të re, Republikë të qytetarëve shqiptarë.

Basha tha se lëvizja e nisur në 18 shkurt nuk e mbaron sot misionin e saj historik, por se 90 ditët e qëndresës historike, janë prova se e vetmja vlerë që mund të keqen është bashkimi.

Ai shtoi se dinjiteti, kurajo, trimëria, shpresa dhe gëzimi që u investuan, janë asetet dhe garancitë e fitores së padiskutueshme të Republikës së re më 25 qershor, duke e cilësuar si fitoren më të bukur.

Një falenderim të posaçëm ai rezervoi për aleatët opozitarë për mbështetjen e treguar, duke e cilësuar të pazëvendësueshme.

Në marrëveshjen e arritur pas takimeve maratonë të dy ditëve të fundit mes Ramës dhe Bashës, opozita do të marrë postin e zv.Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministrit të Arsimit, ministrit të Shëndetësisë, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave, ministrit të Drejtësisë, si dhe disa drejtori të rëndësishme.

Bazuar në marrëveshje opozita detyrohet të votojë në Parlament, organet e vettingut. Opozita ka marrë edhe kreun e KQZ, ndërsa edhe Avokati i Popullit, do të jetë propozim i opozitës. /a.y/noa.al