Transmetuar më 18-05-2017, 16:09

Ishin kthyer në problem për banorët e fshatrave të Vlorës, për shkak se u vidhnin gatitëtë.

Një operacion i policisë së qytetit bregdetar i koduar “Trubulli” vuri në pranga Barjam Xhelaj, 61 vjeç, banues në Vlorë, Ilir Meraj, 38 vjeç, banues në Vlorë dhe Gëzim Shahaj, 63 vjeç, banues në fshatin Peshtan, Fier.

Arrestimi i tyre u bë gjatë ditës së sotme, pas hetimeve që zgjasnin prej disa kohësh.

Më konkretisht ata akuzohen se, në fshatin Mërtiraj, të Selenicës gjatë natës së 15 majit, kanë vjedhur 11 lopë në stallën e shtetasit P.I., 34 vjeç, me banim në këtë fshat.

Si rezultat i këtij operacioni, pas hetimeve të kryera nga ana e policisë, gjatë ditës së sotme është bërë identifikimi dhe kapja e tre të dyshuarve.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se tre të prangosuri, në bashkëpunim me njëri-tjetrin pasi kanë vjedhur lopët, i kanë transportuar ato me ndihmën e automjetit tip Furgon me targë AA 309 GJ në pronësi të Meraj, duke i strehuar në një vend të posaçëm pranë banesës së Gëzim Shahaj në fshatin Peshtan të Fierit.

Policia ka gjetur tetë lopë si dhe ka bllokuar mjetin tip Furgon, ndërkohë që tre të tjerat dyshohet të jenë shitur.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim për të zbuluar rastet e tjera ku mund të jenë përfshirë. Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprat penale

“Vjedhja e kryer në bashkëpunim” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. /a.y/noa.al