Transmetuar më 18-05-2017, 15:24

Ka përfunduar pas afro pesë orësh takimi mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryeopozitarit Lulzim Basha.

Takimi i mbajtur mes tyre në Pallatin e Kongreseve përfundoi në orën 15.20, ndërkohë që në dalje të tij si kreu i qeverisë edhe ai i Partisë Demokratike refuzuan të japin detaje mbi marrëveshjen e arritur mesnatën e lënë pas.

“Do të keni përgjigje shumë shpejtë”, u tha Basha gazetarëve, të cilët kërkuan të mësonin më shumë rreth takimit.

Pas takimit maratonë, i dyti pas atij të mbrëmjes së djeshme Rama dhe Basha do të mbledhin kryesitë e partive përkatëse.

Paraprakisht mësohet se dy palët kanë rënë dakord të shkohet në zgjedhje më 25 qershor pa koalicione, duke përjashtuar datën 16 korrik me koalicione.

Rreth orës 01.00 pas mesnatës mes të mërkurës dhe të enjtes, Basha bëri me dije se është arritur një marrëveshje që do të formalizohet brenda 24 orëve dhe vetëm më pas do të ketë një komunikim publik. /a.y/noa.al