Transmetuar më 17-05-2017, 17:59

Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një letër vëzhgues Xhenovefa Ruiz Calavera, e cila po monitoron listën e kandidatëve për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.

Më këtë letër kuvendi njofton Calaverën se pas verifikimeve ka rezultuar se disa prej kandidatëve të Avokatisë kanë mungesë dokumentacioni, për sa u përket vërtetimeve të gjendjes gjyqësore.

Ndërkohë në letër thuhet se disa prej kandidatëve nuk kanë dorëzuar liçencën e ushtrimit të profesionit, disa të tjerë nuk kanë dorëzuar vërtetimin nga tatimet.

Kuvendi njofton gjithashtu se kandidatët kanë 5 ditë afat për të plotësuar dokumentacionin.

Në përfundim të këtij afati në ushtrim të funksioneve të tij kushtetuese dhe ligjore, Sekretari i Përgjithshëm thotë se do të informojë ONM për ecurinë e procesit dhe do t’i vërë në dispozicion dokumentacionin plotësues që do të paraqitet nga kandidatët. /b.l/noa.al/