Transmetuar më 17-05-2017, 11:48
Publicitet

Ka marrë fund rezistenca e Presidentit të Maqedonisë, Ivanov për t’i dhënë mandatin Zoran Zaev për krijimin e qeverisë. Sot, në orën 12:00, Gjorge Ivanov do t’i dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, raportojnë mediat vendase, duke cituar burime nga kabineti i Presidentit.

Që prej zgjedhjeve të parakohshme, që u mbajtën pak muaj më parë, Maqedonia është përfshirë nga një krizë e thellë politike, e cila kulmoi me futjen e protestuesve në Parlament, ku u plagosën disa përfaqësues të politikës.

Presidenti Ivanov refuzonte të mandatonte Zaev, pasi sipas tij kishte një platformë shqiptare, të firmosur nga Tirana, e cila rrënon shtetin e Maqedonisë.

Dhënia e mandatit për Zoran Zaev, vjen pak javë pasi në krye të parlamentetit të Maqedonisë, për herë të parë u vendos një shqiptar, Talat Xhaferri. /k.k/noa.al/