Transmetuar më 16-05-2017, 18:08

Skuadrat finaliste të Kupës së Italisë, Juventusi dhe Lacio, janë ftuar nga Papa Françesku ditën e sotme për të vizituar këtë të fundit në Vatikan.

Kreu i Kishës katolike i ka kërkuar futbollistëve të dy skuadrave, meqenëse futbolli është një nga sportet më të ndjekura, të jenë shembuj të besnikërisë dhe ndershmërisë për të gjithë ata që i ndjekin duke ndikuar sadopak për një botë më të mirë.

“Duke marrë parasysh që futbolli është sporti më popullor sidomos për të rinjtë, ju keni një përgjegjësi të madhe pasi shërbeni si shembuj. Çdo ndeshje është një betejë e ekuilibrit, të kuptuarit e vetes dhe respektimi i rregullave”, u shpreh Papa.

Ky takim mund të shërbejë si një ogur i mirë për të dyja skuadrat të cilat do të ndeshen nesër në orën 21:00 në "Stadio Olimpico"për finalen e Kupës së Italisë.