Transmetuar më 16-05-2017, 17:49

Ka mbërritur edhe reagimi zyrtar nga strukturat e Spitalit Continental. Në të thuhet se “duke marrë shkas nga ngjarja e djeshme e ndodhur në Spitalin Continental, ku një paciente humbi jetën gjatë një interventi kirurgjikal si dhe nga nevoja për të informuar opinionin publik”, fillimisht i shprehen ngushëllimet ton familjes Pepa për humbjen e njeriut të saj të dashur.

Kurse më tej jepet versioni i këtij spitali mbi atë çfarë ndodhi: “Dje me datë 15.05.2017 rreth orës 24:00 pas një beteje të gjatë me një nga komplikacionet më të rënda, shumë të rralla dhe me vdekshmëri të lartë, humbi jetën në Spitalin Continental pacientja, Blerta Pepa”.

“Bazuar në vlerësimin e ekspertëve tanë të anestezi – reanimacionit të cilët punojnë në Spitalin Continental si dhe të bashkëpunëtorëve të tyre arritëm në përfundimin se komplikacioni që çoi në humbjen e jetës së pacientes sonë është hipertemia maligan”, – vijon informacioni i dërguar nga zyra për marketing e Spitalit Continental.

Në këtë reagim jepet edhe një informacion se çfarë është hipertemia maligna?

“Hipertermia Maligna përfaqëson një nga komplikacionet më të rënda dhe shumë të rralla që ndodh gjatë anestezisë. Ajo vjen si pasojë e një defekti genetik dhe që është e pamundur të zbulohet me anë të ekzaminimeve standarde apo të posaçme të kryera para operacionit. Hipertermia maligna vjen nga çlirimi masiv i energjive termike nga muskujt, si pasojë e aplikimit të substancave anestetike”.

“Dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se protokollet e anestezisë së aplikuara në Spitalin Continental në këtë rast janë të njëjta me ato të vendeve të BE-së. Gjithashtu sigurojmë se niveli profesional i anestezistëve të spitalit tonë është tejet i lartë dhe veçanërisht i mjekut që u përball me këtë komplikacion të rrallë, i cili e ka trajtuar atë me profesionalizëm të lartë dhe devotshmëri në një afat kohor prej disa orësh”, – vazhdon reagimi.

Kurse më tej thuhet: “Spitali Continental garanton familjen e të ndjerës dhe gjithë opinionin publik se është i hapur për të bashkëpunuar me të gjitha organet që bëjnë ekspertizën në këtë fushë si dhe ato ligj-zbatuese për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje me qëllim heqjen e çdo mundësie për të abuzuar më të vërtetën, siç kemi vërejtur gjatë orëve të fundit nga shumë media, apo individë të caktuar”.

“Jemi thellësisht të keqardhur për dezinformimin e përhapur i cili në jo pak raste duket që është i qëllimshëm. Është e pafalshme të luhet me ndjenjat e njerëzve apo më keq akoma të krijohen kopertuar në kurriz të së vërtetës”, – vijon reagimi nga spitali Continental. /noa.al/