Transmetuar më 16-05-2017, 17:36

Mjeku i njohur Prof. Dr. Tritan Shehu, ish zëvendëskryeministër dhe disa herë ministër në qeveritë e ish kryeministrit Sali Berisha, thotë se Tefik Zhurda, mjeku i spitalit Continental, ndodhet mes jetës dhe vdekjes pasi kreu në akt vetëvrasjeje.

Tritan Shehu, Profesor i Anestezi-Reanimacionit e kryetar i asaj shoqate shqiptare, u shpreh sot mbi ngjarjen e ndodhur në spitalin privat ku vdiq Blerta Pepa, një vajzë e mitur, pasi u operua atje dhe mjeku anestezist tentoi vetëvrasjen e ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Z.Shehu thotë se po reagon, “përpara se të dalin konkluzionet zyrtare të ekspertizës për tragjedinë që ndodhi sot në një sallë operacioni të Tiranës”.

Ish-mjeku thotë se po shpreh disa detaje paraprake teknike dhe i rendit ato si më poshtë:

“Fatkeqja sot gjatë një interventi ortopedik pësoi një komplikacion anestetik të rëndë e me mortalitet shumë të lartë kudo në botë, hipertermi malinje. Ky ndërlikim është pothuaj i pamundur të para diagnostikohet e të parandalohet; ai vjen nga një çlirim masiv energjish termike nga muskujt, si pasojë e aplikimit të substancave të anestezisë. Fatmirësisht është një ndërlikim shumë i rrallë në subjekte me probleme të lindura, por që në jetën normale nuk kanë asnjë shqetësim. Theksoj se ky ndërlikim nuk lidhet me gabime njerëzore, anestetike, dozime të substancës etj., si dikush pa përgjegjësi ka thënë sot; është pothuajse një fatalitet. Dhe kjo ndodhi sot; fatkeqësisht gjendja nuk u dominua dot, me gjithë ndihmën reanimatore komplekse të zbatuar nga mjeku anestezist”.

Shehu bën thirrje që të mos denigrohet personaliteti i mjekut, duke theksuar se “si pasoje e traumës psikologjike dhe e dhimbjes ka tentuar vetëvrasje, ai është midis jetës e vdekjes”.

Z.Shehu thotë se kolegu i tij është një “mjek me përvojë e dije të plota, me koshiencë të lartë civile e përgjegjësi profesionale, gjë e cila e shtyu edhe drejt atij akti ekstrem”. /noa.al/