Transmetuar më 16-05-2017, 15:50

Vdekja e vajzës së mitur Blerta Pepa, një talent në këngën shqiptare, ka ngjallur pikëllim te të afërmit dhe shumë njerëz që mësuan lajmin e hidhur.

Daja i Blertës 16 vjeçe, Liro Likaj, i shqetësuar nga tragjedia, i është drejtuar sot kryeministrit Edi Rama duke i kërkuar që të bëhet drejtësi për vdekjen e mbesës së tij.

“Unë jam daja i Blerta Pepa e cila ka qene pjesëmarrëse tek Gjeniu i Vogël. Blerta fatkeqësisht u nda nga jeta në moshën 16-vjeçare mëngjesin e sotëm, në spitalin Continental, pas një ndërhyrjeje në gju për meniskun dhe ligamentin”, – informon daja për atë që i ndodhi Blertës, në mesazhin dërguar kryeministrit.

“Kemi bërë denoncim ne polici pasi besojmë që ka qenë një papërgjegjshmëri dhe tregti me jetën e një fëmije duke qenë se i kryen një operacion si me urgjencë nga ora 10 në mëngjes që ishte planifikuar por e bënë në orën 19.30 te darkës duke qene se doktori ë huaj që bëri ndërhyrjen duhet të ikte në Greqi ku gjithashtu punon. Ju lutem bëjini një tribut Blertës e cila nuk jeton më vetëm për një operacion në gju dhe hetoni apo pasqyrojeni si lajm pasi është tepër e rëndë besoj për të gjithë Shqipërinë që një gjeni e vogël si Blerta, të humbë jetën nga vetëm një ndërhyrje në gju, kur na ishin dhënë të gjitha garancitë që çdo gjë do shkonte mirë nga spitali”.

Më tej daja i Blertës i drejtohet kryeministrit: “Si i pari i qeverisë të kërkoj të bëhet çdo gjë që drejtësia të vihet në vend pasi ajo vdiq nga babëzia e eurove të spitaleve private dhe e shtetit që nuk u interesua që ta mundësojë shërimin pasi në ministri të Shëndetësisë dhe të Arsimit (u vra në gju në orën e fizkulturës tek “Çajupi”) dhe përgjigjja qe që “sa fëmijë vriten në dite në shkollë nuk i ndihmojmë dot”.

“Duam drejtësi”, – përfundon mesazhi tronditës i dajës së Blertës.

Një mesazh që ngre disa pikëpyetje

Redaksionale NOA.al

Letra e hapur që Liro Likaj i ka dërguar kryeministrit, deri tani ka mbetur pa një përgjigje publike. Letra mbart pikëllim por edhe shtron disa pyetje serioze të cilat meritojnë përgjigje dhe çdo institucion shtetëror e privat që përmendet duhet të përgjigjet.

Në letër, daja i Blertës thotë se nga spitali i ishin dhënë të gjitha garancitë se çdo gjë do të shkonte mirë. Por kjo nuk ndodhi dhe vajza u kthye e vdekur në shtëpi dhe nesër (e mërkurë) do të varroset. Lind pyetja? Çfarë garancish u dhanë nga spitali?

Daja i Blertës pohon se vajza u dëmtua në mjediset e shkollës. Kjo është një përgjegjësi morale dhe ligjore e institucioneve shtetërore. Konkretisht, ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, e kanë shpërfillur në mënyrë poshtëruese kërkesën për të ndihmuar në kurimin e Blertës dhe fundi i saj tani është kaq i dhimbshëm sa ngarkon me përgjegjësi shumëkënd.

E në fund, daja i Blertës ka një kërkesë për kryeministrin, duke kërkuar drejtësi. Po kryeministri, vallë a do të përgjigjet?