Transmetuar më 16-05-2017, 13:25

Procesi i përzgjedhjes së administratorëve të pallateve është duke ecur me sukses në Bashkinë e Tiranës dhe brenda vitit do të përfundojë ngritja e të gjitha kryesive në lagje. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili mori pjesë sot në konferencën me temë  “Ndërtimi i axhendës për ndryshim: Shtrirja e strukturave komunitare në Shqipëri”, u shpreh se caktimi i administratorëve të pallateve do t’i japë zgjidhje problematikave të shumta që lindin prej bashkëpronësisë dhe jetesës në komunitet.

“Ligji ka ekzistuar prej 10 vitesh, që kur u miratua nga qeveria e kaluar, por nuk u zbatua asnjëherë nga bashkitë. Kështu që, morëm një ligj i cili kishte nevojë për disa modifikime dhe sot kemi ngritur 1147 kryesi pallatesh. Vokacioni numër një i dikujt që jeton në qytet është që të jetë qytetar dhe fakti që 50% + 1 e banorëve të një pallati vijnë në asamblenë e pallatit për të caktuar kryesinë, e cila më pas do të vendosë për administratorin, është hapi i parë i një civilizimi shumë të pritur për jetesën në komunitet”, tha ai.

Në konferencën e organizuar nga Ambasada e Zvicrës, Veliaj deklaroi se brenda vitit do të përfundojë ngritja e të gjitha kryesive, e cila do të pasohet më pas me nënshkrimin e kontratave me administratorët e pallateve.

“Do të shkojmë në fazën ku bashkia qendrore do të merret me çështje të nivelit makro dhe jo siç ndodh tani, ku kryetari i bashkisë merr letra edhe për dikë që parkon keq apo për saksitë e dikujt që kullojnë në ballkonin e fqinjit. Gjëra të tilla mund të duken banalitete, por ndikojnë në cilësinë e jetës së dikujt”, u shpreh ai, duke shtuar se për të rregulluar jetën në komunitet, Bashkia e Tiranës ka ngritur edhe një strukturë tjetër, atë të ndërlidhësit me komunitetin.

Një tjetër çështje ku u ndal kreu i Bashkisë së Tiranës ishte edhe rritja e transparencës, Tirana është qyteti i parë në Shqipëri që ka ngritur një sistem online ku qytetarët mund të njihen me të gjitha të ardhurat apo shpenzimet. /b.l/noa.al/