Transmetuar më 15-05-2017, 15:01

Kryeministri Edi Rama nuk ka pasur ndonjëherë bashkëbisedues më të bukur e të këndshëm sesa sot, kur u takua me fëmijë, nipër e mbesa të shoqëruar nga gjyshe dhe gjyshër, në këndin e lojërave në Parkun e Liqenit. Në një bisedë të çlirët për më shumë ambiente e parqe për fëmijët dhe gjyshërit në Tiranën që të gjithë duam, ata shprehen entuziastë për këndin më të ri të lojërave, që është bërë vendi më i dashur si për fëmijët dhe për gjyshërit për të kaluar kohën. “Është bërë në ndryshim si nata me ditën. Fëmijët kënaqen, luajnë, pa makina, janë të kënaqur. Unë mbesën time e sjell shpesh,” – thotë një gjyshe. 

I pranishëm në këtë bashkëbisedim, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj sjell lajmin e shumëpritur nga qytetarët, sheshi “Skënderbej” do të hapet në 10 qershor, i cili do të jetë një hapësirë krejtësisht e transformuar gjelbërimi dhe argëtimi. “Sheshi ka dalë shumë bukur. Ne këtë javë do testojmë shatërvanët që të shohim si do funksionojnë. Kemi mbjellë edhe shumë pemë rreth e rrotull, që të mos kemi vetëm pllaka për koncerte, për takime, por të ketë edhe pemë. Një pjesë e kemi bërë vetëm me ullinj, një pjesë vetëm me pemë frutore”, tha Veliaj.

Gjithashtu, Veliaj prezantoi punën që është bërë në këtë zonë, që e cilësoi “një punë si të qëroje oriz” për të hequr pikat e zeza që kishin zaptuar zonën.

“Nga lejet që janë dhënë në Farkë janë fut disa pallate si pykë, ato nuk i zhbëjmë dot, aty jetojnë njerëz kështu që ka një çikë devijim nga plani fillestar. Por masterplani ka dalë mirë. Dje kur dolëm për vrap nga ora 7 pasdite, nuk bëje dot vrap aq shumë njerëz kishte. Kemi ende disa shpronësime, ndërtime pa leje që janë legalizuar në kohën e tyre. Derdheshin gjithë gropat septike në liqen. Kështu që ka filluar procesi i zhvendosjes. Por ka qenë realisht si të qërosh oriz, gjithë pikat e zeza rreth liqenit. Sidomos pjesa e Farkës ka qenë një katastrofë”, u shpreh Veliaj .

Kreu i Bashkisë deklaroi se falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës janë ndërtuar një sërë ambientesh të ndryshme për të gjitha grupmoshat, duke e shndërruar Parkun e Madh të Liqenit në një nga hapësirat më të frekuentuara në kryeqytet. Duke folur për rritjen e hapësirave të gjelbra në kryeqytet, Veliaj deklaroi se po punohet me ritme të shpejta që brenda 2030 të mbillen 2 milionë pemë, në kuadër të projektit për Pyllin Orbital. /b.l/noa.al/