Transmetuar më 15-05-2017, 10:30

Skandali i tentativës për manipulim të ndeshjes mes Partizanit dhe Kukësit duket se nuk ka fund. Pas telefonatës së menaxherit Drini Çaushi me Emiljano Vilën, ku këtij të fundit i ofroheshin para në emër të presidentit Safet Gjici, ditën e djeshme “Procesi Sportiv” ka publikuar një tjetër foto, e cila shton akoma më shumë dyshimet rreth asaj që ka ndodhur në prag të ndeshjes mes Partizanit dhe Kukësit.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, presidenti i verilindorëve ka mohuar gjithçka dhe thotë se nuk ka pasur asnjë kontakt me futbollistët e Partizanit dhe po pret organet e drejtësisë lidhur me këtë çështje.

Fotografia e publikuar, hedh dyshime të forta në lidhje me atë që ka ndodhur në datën 1 maj. Datë, e cila shihet qartazi në telefonin e Emiljano Vilës ku dallohet biseda me një person, të cilin ai e ka ruajtur me emrin “trashi”.

Përgjigjja që ai i kthen këtij personi krijon aludime të mëdha sepse dallohet qartë që mesfushori i Partizanit shkruan: Safet, të lutem mos më vër në siklet. Deri këtu mbetet për t’u kuptuar se pse futbollisti i Partizanit e ka shkruar numrin e Safet Gjicit (nëse është i tiji) me emrin “trashi”.

Por, nëse e para është bërë për të mbajtur disi të fshehtë bisedat që kanë bërë palët, ka sërish dyshime të forta edhe mbi atë që Vila ka shkruar. Fakti që ai i drejtohet personit në telefonin e tij me emrin Safet, jo domosdoshmërisht ai është Gjici.

Por, duke parë video­skandalin që u publikua pak ditë më parë, lidhjet të bëjnë të mendosh që bëhet fjalë për presidentin e Kukësit. Tani mbetet që skuadra e Partizanit të qartësojë pozicionin e saj, ndërkohë që ditën e djeshme ishte e pamundur të kontaktoje me të kuqtë pasi zyra e shtypit ka vendosur heshtje për shtyp.

“Panorama Sport” kontaktoi ditën e djeshme numrin një të Kukësit, i cili mohoi në mënyrë kategorike lidhjet me futbollistët e Partizanit dhe sidomos me Vilën. Ai tha se kushdo që ka folur në emrin e tij do të përballet me ligjin dhe thotë se po pret zhvillimet që do të ndodhin në Prokurori për këtë çështje.

“Unë nuk kam kontakte me lojtarët e Partizanit, madje nuk i njoh fare personalisht. Nuk kam kontakte as me Vilën dhe me asnjë tjetër. Këto janë sajesa dhe nuk i kuptoj kush i bën. Tani çështja ka shkuar në Prokurori dhe duhet të presim fjalën e tyre. Unë as kam folur, as kam lidhje fare me këtë punë. Ai që ka folur në emrin tim do të mbajë përgjegjësi, Drini, si e ka emrin ai… Unë s’mund të them asgjë më tepër, sepse çështja po hetohet. Le t’i nxjerrin ata përfundimet”, ka thënë Gjici.