Transmetuar më 14-05-2017, 09:58

Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, Presidenti Bujar Nishani u vlerësua me titullin “Qytetar Nderi” nga komuna e Prizrenit dhe Drenasit.

Në komunën e Drenasit gjatë ditës së djeshme, e cila ishte edhe fundit e vizitës në Kosovë, Nishani u prit nga kryekomunari Ramiz Lladrovci me të cilin zhvilloi paraprakisht një takim të përzemërt e vëllazëror, deputetë të Kuvendit, drejtues vendorë, familjarë të dëshmorëve të heronjve shqiptarë si dhe nga qytetarë të shumtë.

Me vendim unanim të anëtarëve të Asamblesë së Komunës së Drenasit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë u vlerësua me titullin “Qytetar Nderi” i Drenasit për kontributin e çmuar dhënë për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, për vënin e Shpalljes së Pavarësisë në axhendën prioritare, si dhe në veçanti për vlerësimin dhe lidhjet e veçanta emocionale me Drenicën.

Kreu i Shtetit shqiptar, pasi i falënderoi nga zemra, u shpreh “Me këtë nderim më keni ngarkuar me një përgjegjësi të madhe dhe më keni dhënë një peshë shumë të madhe detyrimi që për gjithë jetën time, sa ta kem të mundur, sa të marr frymë midis njerëzve, t’i përkushtohem akoma më shumë këtij shërbimi e të jem i gatshëm për sakrifica edhe më të mëdha për kombin, vendin, flamurin, dinjitetin, historinë tonë të përbashkët. Të të nderojë Drenica, të ka nderuar e gjithë Shqipëria!”

Në vijim ai u shpall “Qytetar Nderi” në kompleksin historik të Lidhjes së Prizrenit ku u zhvillua ceremonia solemne e posaçme e dhënies nga Komuna e këtij qyteti të titullit.

Kreu i Shtetit shqiptar, pas marrjes në dorëzim të titullit vuri në dukje në fjalën e Tij se: “Sot ndihem i nderuar që mes jush dhe qytetarëve të Prizrenit ta marr dhe ta vlerësoj e të përulem para këtij nderimi që po më bëni. Isha shumë i nderuar që ta kryej këtë vizitë shtetërore të fundit pikërisht këtu, aty edhe ku e nisa në fillim të mandatit tim presidencial, në Kosovë. Përpos qëllimit që kisha për të përcjellë gjatë kësaj vizite nderimin, besimin dhe mirënjohjen e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për vëllezërit dhe motrat e tyre në Kosovë si dhe për të gjithë autoritetet dhe institucionet e shtetit, të kultit e besimeve fetare, të shoqërisë civile te secili qytetar i nderuar i këtij shteti, ndoshta i ri në kontekstin juridik, por mijëravjeçar për sa i përket kulturës dhe traditave.” /a.y/noa.al