Transmetuar më 12-05-2017, 16:36

Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu ka reaguar në faqen e saj Facebook këtë herë jo për politikë, por për një çështje më problematike. Bregu ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi pak ditë më parë në një shkollë 9 vjeçare në Kashar, ku mësuesi 62 vjeçar ngacmoi seksualisht një 13 vjeçare të mitur. Ajo theksoi se abuzimi po shkërmoq të gjithë pushtetet, ndërsa shkrimin e saj e ka shoqëruar edhe me një foto, ku shfaqet një vogëlushe me fjalët “Unë fola, por askush nuk më besoi”.

Postimi i plotë

Ndërsa përthithemi, gati pa kthim, në vorbullën e lajmeve frenetike, për pushtetet e politikat tona të mëdha, rrezikojmë të mos shohim sesi po vazhdojnë të na shkërmoqen nën këmbë ato pushtetet e vogla, në qytete, fshatra, shkolla, punë…që në fakt shkaktojnë trauma shumë më të mëdha.  U tmerrova edhe një herë më shumë kur u ndesha me një tjetër lajm për abuzim seksual, këtë herë jo ndaj një gruaje por akoma dhe më çmendurisht, ndaj një nxënëse të shkëlqyer, pikërisht në ambjentet e një shkolle në Kashar, rënë viktimë e mësuesit të saj.  Mësuesi, është pezulluar. Por kaq nuk mjafton.

Në 2013 kam propozuar ndryshimet që sot janë në Kod Penal, për të vendosur parimin e interesit më të lartë të fëmijës si dhe konsiderimin si rrethanë rënduese për çdo krim që kryhet ndaj të miturve. E di që edhe kaq nuk mjafton. Nuk ka nevojë të ma thotë njëri se ç’ dhimbje ka fëmija dhe e kuptoj si nënë se çfarë po kalon e ëma e vajzës. Në Parlamentin që iku, si iku, rrinë pezull akoma dhe 3 propozime, të miat dhe të dy kolegëve të tjerë. 

-Përfshirje në ligjin e dekriminalizimit për mësuesit dhe profesionistët e kujdesit social që punojnë me fëmijët.

-Përjashtimin nga shërbimi i proves; pra çdokujt që abuzon me fëmijët t’i hiqet e drejta të punojë përsëri me ta.  -Bërjen të detyrueshëm të vlerësimit të shëndetit mendor të mësuesve dhe edukatorëve që punojnë me fëmijët tanë.  Sigurisht asnjë nga këto propozime nuk u votua. Ne dolëm nga parlamenti, por mbi të gjitha jo gjithkush e përkrahu idenë se mësuesit nuk duhen futur në testim vetëm për njohuritë profesionale.

Kolegë të tjerë, me të drejtë, ngurruan pasi mendonin se kështu qeveria do të kishte një armë më shumë në dorë, për të hequr nga puna mësues e për të punësuar militantë. 

Kjo është e keqja që na ka mbërthyer! Ne nuk garantojmë dot më jetën dhe punën e ndershme të askujt! Një mësues pedofil do të dënohet, për këtë nuk kam dyshim! Por a fillon e mbaron këtu?  S’është vetëm ai fajtor! Ai është monstër në fakt. Por faji është dhe i secilit prej nesh, që nuk jemi më në gjendje të qeverisim as veten jo më të pambrojturit.   Ç’mund të presim të ndodhë në ato pushtetet e vogla, nëpër qoshet e kësaj Shqipërisë sonë ende të pandriçuar mirë, kur nëpër tribunat e pushteve të mëdha e vetmja gjë që nuk ndryshon është urrejtja për tjetrin, nga premtimet deri tek abuzimet me pushtetin që ndodhin rëndom çdo ditë, si të ishte hiç mosgjë.

Janë mbi 100 mijë fëmijë që jetojnë në varfëri. 60 mijë nuk janë të mbuluar me asnjë shërbim!  Vetëm për t’i ushqyer me bukë fëmijët që jetojnë në varfëri ekstreme duhen 27 miliardë dollarë dhe buxheti i përkujdesjes sociale as i afrohet kësaj nevoje.  Ne nuk dimë sa fëmijë kanë braktisur shkollën;sa të mitura i detyrojnë të martohen; sa punojnë në të zezë e me radhë… Nuk janë vetëm portretet e mitingjeve fëmijët në këtë vend. Janë dhe këta pa zë! Po i ushqejmë vetë djajtë, siç po ushqejmë sherrnajën tonë. Dikush fiton, por jo të pambrojturit.