Transmetuar më 12-05-2017, 15:28

Viti i ri shkollor që nis në shtator do t’i gjejë fëmijët e fshatit Mihajas në Berzhitë me një shkollë të re. Bashkia e Tiranës po përfundon punimet e shkollës së re 9-vjeçare të fshatit, e cila do t’i shërbejë një komuniteti që jeton në një nga zonat më periferike të Tiranës, edhe si një qendër shëndetësore.

Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi sot punimet dhe theksoi se ky është një tjetër investim që tregon se për Bashkinë e Tiranës nuk ka diferenca në investime, pavarësisht nëse bëhet fjalë për qendrën e Tiranës apo zonat më periferike të saj, siç është fshati Mihajas.

“Këtu jemi në pikën më periferike të Tiranës ku ndahemi me Elbasanin, ama parimi është ky: nëse e ke emrin në Tiranë, duhet të trajtohesh njësoj si gjithë të tjerët dhe nuk duhet të ketë më distancë midis atyre që jetojnë në qendër apo në Unazë dhe atyre që janë në Krrabë, Bërzhitë, Zall-Herr, Zall-Dajt apo Zall Bastar. Kështu, jemi munduar si një familje nikoqire që t’i shpërndajmë investimet”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se ky është një tjetër premtim i mbajtur, ndërsa bëri të ditur se ambientet e shkollës së re janë më të mëdha sesa janë aktualisht nevojat që ka zona, ndaj ato do t’i shërbejnë banorëve edhe si një qendër shëndetësore.

“Jam këtu për të mbajtur fjalën dhe për të thënë se pavarësisht vështirësive financiare në Bashki, kur jep fjalën duhet ta mbash. Shkolla është pak më e madhe se sa nevojat dhe brenda saj kemi vendosur edhe qendrën shëndetësore. Pas orëve të mësimit, ajo mund të përdoret edhe për aktivitete të tjera të komunitetit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se pavarësisht se bëhet fjalë për një shkollë në një zonë në periferi të Tiranës, për ndërtimin e saj janë respektuar standardet që garantojnë një ambient modern dhe të sigurt. /b.l/noa.al/