Transmetuar më 11-05-2017, 15:09

Orët e paradites do të jenë në ndikimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të cilat më të fokusuara do të jenë në zonat veriore e verilindore.

Sipas MeteoAlb, pjesa e dytë e ditës nuk do të ketë shume ndryshim të kushteve të motit duke bërë që kthjellimet të mbizotërojnë në territor por herë pas here do të shfaqen vranësira kalimtare nëpër të gjithë vendin.

Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante gjatë orëve të mëngjesit por mesdita do të sjellë sërish rritje të tyre. Era do të fryjë lehtë në tokë dhe det me shpejtësi 20 km/h nga drejtimi Perëndimor – veriperëndimor dhe për pasojë në Adriatik dhe Jon do të gjenerohet dallgëzim i ulët.

Europa

Zhvillimi i një qendre të fuqishme ciklonare në veriperëndim të Europës me ndikim deri në qendër të kontinentit do të bëjë që vranësirat dhe shirat të karakterizojnë kushtet e motit për Europën veriperëndimore, Alpet si edhe zonat përreth tyre.

Shira më të dendur do të bien në Francë dhe Gjermani duke rrezikuar edhe përmbytjet në shumë zona. Po ashtu edhe gadishulli Iberik do të ketë rrebeshe shiu dhe stuhi të forta ere. Përsa i përket pjesës tjetër të Europës do të jetë nën dominimin e motit të kthjellët dhe temperaturave të larta ku në gadishullin e Ballkanit do të arrijnë deri në 28 apo 29 gradë C. /b.l/noa.al/