Transmetuar më 11-05-2017, 10:25

Pas rrëzimit të qeverisë së Isa Mustafës, Presidenti Hashim Thaçi ka njoftuar se 11 ose 18 qershori do të jenë datat e mundshme për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të zhvillohen në Kosovë.

Presidenti Thaçi thirri mëngjesin e sotëm, përfaqësues të partive politike si dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të vendosur kështu datat e zgjedhjeve të parakohshme.

Shumica e partive parlamentare dhanë pëlqimin e tyre për 11 qershorin si datë ku do të zhvillohen zgjedhjet. Ndërkohë nëse vendoset për datën 18 qershor, zgjedhjet në Kosovë do të përkojnë me të njëjtën ditë më ato të Shqipërisë.

Në takim me Presidentin Thaçi morën pjesë: Hajredin Kuçi nga PDK, Ismail Kurteshi nga Vetëvendosje, Pal Lekaj nga AAK, Valdete Bajrami nga Nisma, Agim Bahtiri nga AKR, Ferid Agani nga Partia e Drejtësisë, Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim dhe Slavko Simiq nga SLS. Gjithashtu, e pranishme në këtë takim ishte edhe kryetarja e KQZ, Valdete Daka. /g.v/noa.al