Transmetuar më 10-05-2017, 19:32
Publicitet

Bashkimi Europian ka apeluar qeverinë e Kosovës që të vijojë në rrugën e reformave, edhe pas rrëzimit me mocion mosbesimi.

Komisioneri Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerim, Johannes Hahn ka reaguar pas rrëzimit të Qeverisë së Kosovës, ndërsa ka shprehur keqardhje për këtë fakt duke sjellë në vëmendje se shteti ka sfida të mëdha përpara.

“Më vjen keq për votën e mosbesimit të sotëm në Parlamentin e Kosovës. Liderët e politikës dhe institucionet nuk duhet të harrojnë sfidat e mëdha që Kosova do të përballet”, ka shkruar Hahn në Twitter.

Ndërkohë, zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Koçijançiç, ka ftuar të gjithë liderët politikë, si dhe institucionet e Kosovës që në periudhën e mbetur, deri në zgjedhjet e prakohshme, të mos heqin vëmendjen nga sfidat, “jashtëzakonisht të mëdha, me të cilat po ballafaqohet Kosova”.

Sipas zëdhënëses së Bashkimit Evropian, është me rëndësi vijimi i punës për sundimin e ligjit, zhvillimit ekonomik, dialogut të ndihmuar nga BE si dhe në proceset që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. /k.k/noa.al/