Transmetuar më 10-05-2017, 14:36

Parlamenti i Kosovës rrëzon qeverinë e Isa Mustafës. Me 78 vota pro dhe 34 kundër mocionit, deputetët bënë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme të cilat sipas Kushtetutës duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve.

Pas afërisht tri orë diskutimesh dhe akuzave të ndërsjella, Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur me 78 vota mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit, Isa Mustafa.

Sipas vlerësimeve të fundit, presidenti do të duhet që qysh nesër në konsultim me partitë parlamentare të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. 

Përveç opozitës, rrëzimin e Qeverisë e ka përkrahur edhe partneri i koalicionit, PDK.

Vota e PDK-së për mocionin ka nënkuptuar edhe vendimin për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Vendimin e saj, PDK e ka arsyetuar me faktin se qeveria aktuale e ka humbur fuqinë e vendimmarrjes, duke ia atribuuar sidomos dështimin e procedimit për ratifikim në Kuvend të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Pozicionimin e PDK-së për votat pro rrëzimit të qeverisë dhe prishjes së koalicionit, deputetët e LDK-së, gjatë fjalimeve, e kanë cilësuar si skenar të përgatitur më herët në bashkëpunim me opozitën. /b.l/noa.al/