Transmetuar më 10-05-2017, 12:38
Publicitet

Metoda e tyre e qeverisjes është vetëm dhënia e pasurisë publike me koncesion, privatizimi i aseteve të mbetura shtetërore, tenderbërja dhe sigurisht korrupsioni. Rasti "Makro" tregon më së miri, se çfarë janë të afta të bëjnë shoqëritë e lira demokratike. Por ne nuk jemi ende e tillë dhe jo për faj të popullit shqiptar.

Nga Koço Kokëdhima

Centristi Emanuel Makro u votua të dielën në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Francës. Liderët europianë morën frymë të lehtësuar nga fitorja e politikanit proeuropian. Fitorja e Makro është një shpresë për Francën, por edhe një udhërrëfyes për figurat politike që shembin kastat e vjetra politike dhe arrijnë të imponohen dhe të fitojnë përkrahjen e popullit. Njësoj si dhe kryeministri Cipras  në Greqi, Makro, me fitoren e tij dhe të forcës së tij politike, firmosi kapitullimin e partive tradicionale që kishin bërë historinë politike të republikës së pestë franceze. Makro e themeloi partinë e tij të re gati një vit më parë dhe fitorja e tij nuk i dedikohet as pasurisë së madhe që shkriu për të blerë votuesit, as masat e gjera në organizimin e partisë dhe as lobimin që bëri jashtë vendit për të fituar përkrahjen ndërkombëtare. Ishte thjeshtësia e intepretimit të tezave politike dhe ekonomike për një erë të re në Francën e zhytur në stanjacion ekonomik dhe të terrorizuar nga sulmet e ekstremistëve islamikë dhe ndarja e thellë klasore.

Fitorja e Makro tregoi fuqinë që ka vota e lirë e popullit. Është e vërtetë se ai pati mbështetjen e presidentit ende në detyrë, Holonde, por Franca pa për muaj të tërë një fushatë të ethshme zgjedhjesh paraprake, ku më në fund mbetën  në garë vetëm 4 kandidatë, dy prej të cilëve shkuan në balotazhin  e 7 majit. Pa votime të lira dhe të ndershme, po të ishte në një vend si Shqipëria, Makro, kurrë s’do të hynte në garë, jo më të zgjidhej dhe votohej për president. Fitorja e Makro tregon se partitë e vjertra janë të destinuara që të dalin nga skena politike, derisa të rinovohen dhe të bëhen parti politike moderne. Ato kanë mbyllur tregun politik në vend, e kanë bërë atë pronë të një grushti njerëzish, ku nuk kanë vlerë as forumet e larta dhe aq më pak votat dhe mendimi i anëtarësisë. Udhëheqjet e këtyre partive kanë bllokuar çdo tentativë reformimi në politikën shqiptare, duke i bërë këto formacione politike mbrojtëse të politikës së vjetër. Kjo vlen shumë për Shqipërinë ku dy partitë kryesore, PS dhe PD bëjnë rotacion pushteti çdo katër apo tetë vjet, por nuk sjellin asnjë ndryshim në qeverisjen e tyre partiake, për të mos pretenduar në atë të vendit. Ato kanë bllokuar reformimin e procesit zgjedhor në vend, sepse vetëm kështu ndajnë pushtet me njëra-tjetrën, kontrollojnë dhe vjedhin votat, duke manipuluar rezultatet zgjedhore çdo dy vjet, në zgjedhjet parlamentare dhe vendore. Metoda e tyre e qeverisjes është vetëm dhënia e pasurisë publike me koncesion, privatizimi i aseteve të mbetura shtetërore, tenderbërja dhe sigurisht korrupsioni. Rasti "Makro" tregon më së miri, se çfarë janë të afta të bëjnë shoqëritë e lira demokratike. Por ne nuk jemi ende e tillë dhe jo për faj të popullit shqiptar. Për 25 vjet është kalcifikuar një klasë politike, e cila bën sikur ndeshet në zgjedhje mes vetes, por në fakt vetëm riprodhon vetveten.

Ato janë ngulur në trupin e Shqipërisë dhe vetëm e gërryejnë atë. "Sekreti" i tyre është kapja e qelizës së një shoqërie të lirë demokratike; vota e lirë. Shqiptarët nuk e meritojnë lëngimin, varfërinë, keqpërdorimin dhe talljen që ju bëhet. Nuk kanë popujt e tjerë të Europës asgjë më shumë se shqiptarët, përveçse votës së lirë dhe demokracisë, si armë që u tregojnë vendin atyre politikanëve dhe partive që i tradhtojnë dhe i keqpërdorin. Këtë kanë bërë PS dhe PD dhe tanimë ato s’kanë ç’të japin më. Ato nuk kanë prej shumë mandatesh një ide se ku do të shkojë vendi, si do të jetë ai pas 10 apo 20 vitesh, si mund të gjendet një model ekonomik që i përshtatet një vendi që aktualisht nuk prodhon asgjë, që importon shumicën e ushqimeve bazë dhe që eksportin më të madh ka krahun e punën dhe njerëzit më të ditur.

Duke ju kthyer votën e lirë, siç e kanë francezët dhe gjithë popujt e tjerë perëndimorë, “Zgjidhja” ju kthen pasurinë më të shenjtë që kanë, ju kthen dinjitetin dhe mirëqenien, bën popullin zotin e vërtetë të vendit. ZGJIDHJA që unë nisa të drejtoj prej disa muajsh, po lufton për një perspektivë të re të popullit tonë, duke ndalur sa më parë braktisjen e tij nga rinia dhe njerëzit e aftë dhe që ai të mos kthehet në një azil me pleq dhe të sëmurë që drejtohet nga qeveritarë tutkunë.  “Zgjidhja” do t’i largojë nga pushteti i pamerituar të paaftët për të vendosur në krye të punëve të shtetit e të popullit njerëzit më të zotë. A është e mundur kjo në Shqipëri dhe a mund të bëhemi ne një Francë në këtë drejtim? Është plotësisht e mundur!

Nëse demokratizojmë qeverisjen, nëse pastrojmë zgjedhjet, nëse vendosim demokracinë dhe lirinë e konkurrencës, nëse vendosim sovranin në vendin e tij duke ua marrë pushtetin e grabitur kryetarëve dhe duke ia kthyer popullit që ky i fundit të zgjedhë përfaqësuesit e vet. Programi i “Zgjidhjes” është e vetmja shpresë për Shqipërinë, zbatimi i programit tonë do të bëjë kthesën e madhe dhe aq të dëshiruar. Ne kemi vullnetin, ne dimë të drejtojmë punët dhe ekonominë e popullit, ne dimë ta bëjmë vendin të pasur, ne dimë se si të udhëheqim Shqipërinë drejt zhvillimit, modernizimit e prosperitetit! Unë dhe partia “Zgjidhja” që drejtoj jemi të vendosur që të nxjerrim jashtë tregut politik njëherë e përgjithmonë klasën politike, të paaftë dhe të diskredituar deri në palcë! Pushtetin duhet ta marrin në duar njerëz të ndershëm dhe të aftë, ta marrë populli. Dhe ashtu si në Francë, kjo fitore nuk do të vijë nga qielli, por nga vota e lirë e popullit. Ndaj beteja e parë që duhet fituar është ajo për votën vërtetë të lirë dhe të ndershme. Prej këtu nis fitorja e padiskutueshme dhe përfundimtare e popullit shqiptar.