Transmetuar më 06-05-2017, 14:09

Ato kanë tetë këmbë, ushqehen me qelizat e vdekura të lëkurës dhe tani ndodhen në fytyrën tuaj. Bëhet fjalë për disa mikrogjallesa të ngjashme me formën e merimangave, të cilat hanë, flenë, “bëjnë seks”, në fytyrën tuaj. Por, nuk mund t’i shihni sepse ato janë mikroskopike dhe mund të shihen vetëm me mikroskop të fuqishëm.

Por, para se të frikësoheni dhe të shkoni të lani me shpejtësi fytyrën tuaj, vlen të përmendet se këto mikrogjallesa nuk përbëjnë asnjë problem serioz dhe janë tërësisht të padëmshme. Këto gjallesa mikroskopike janë dy llojesh dhe quhen, “demodex folliculorum” dhe “demodex brevis”.

“Demodex folliculorum”, gjenden kryesisht në rrënjët e qimeve të fytyrës. Në numër më të madh te pjesa e faqeve, hundës, qerpikët, vetullave dhe ballit. Gjithashtu ato mund të ndodhen edhe në pjesë të tjera të trupit si, krahët, gjoksi dhe veshët, por asnjëherë nuk futen tek organet e brendshme. Ne nuk lindim me këto gjallesa në formë merimange, por i marrim ato nëpërmjet kontakteve me njerëz të tjerë, si edhe nga peshqirët dhe jastëkët.

“Demodex folliculorum” u zbuluan për herë të parë nga një francez i quajtur Berger në vitin1842, ndërsa ishte duke bërë një eksperiment për të studiuar dyllin. Gjatë ditës ato ushqehen me qelizat e vdekura të lëkurës tek rrënjët e qimeve, ndërsa gjatë natës ato bashkohen me njëra-tjerën dhe prodhojnë vezët.

Infektimet më të mëdha me këto gjallesa ndodhin në adoleshencë, gjatë periudhës së pubertetit, pasi lëkura ka shumë gjëndra dhjamore në këtë moshë. Sasia që njerëzit kanë me këto gjallesa ndryshon nga personi në person dhe burrat janë më të predispozuar të kenë më shumë prej tyre sepse ata kanë më shumë gjëndra dhjamore.

Një studim i botuar në revistën Plos One në vitin 2014 zbuloi se në një mostër të vogël prej 29 personash, ata që ishin mbi 18 vjeç, kishin100 përqind monstra ADN-je të këtyre gjallesave mikroskopike në fytyrë. Ndërsa për ata që ishin më të vegjël se 18 vjeç numri ra në 70 përqind.

Ndërsa, “demodex brevis” janë shumë të ngjashme me “demodex folliculorum”, por ato mbijetojnë në gjëndrat dhjamore ngjitur me rrënjët e qimeve rreth zonës së syve. Gjatë një infektimi të rëndë me këtë gjallesë, njerëzit mund të përjetojnë efekte të padëshiruara, si p.sh. lëkurë e thatë dhe kruarje. Ekzistojnë terapi që vrasin “marimangat demodex”, por nuk mund të shpëtoni prej tyre përgjithmonë, pasi ato prodhohen serish pas gjashtë javësh. /b.l/noa.al/