Transmetuar më 05-05-2017, 21:58

Supersfida e javës së 32-të të Kategorisë Superiore, ajo mes Partizanit dhe Kukësit në “Selman Stërmasi”, që konsiderohej edhe si një gjysmëhapi drejt titullit kampion, ka përfunduar në barazim 1-1.

Ndeshja, për të cilën u desh edhe investimi i arbitrave të huaj, konkretisht sllovenit Jug, për shkak të mosbesimit që shfaqën dy ekipet rivale për titull ndaj gjyqtarëve vendas, edhe për shkak të presionit të madh që përbënte ky 90-minutësh në kuadër të objektivave sezonalë, la sërish në krye me pikë të barabarta Kukësin dhe Partizanin, me nga 66 secili.

Takimi nisi me një minutë heshtjeje në nder të legjendës së "të kuqve", Gjergji Thaka, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, pranë fotos së të cilit vendosën lule të dyja ekipet.

Por pas përfundimit të ndeshjes është regjistruar një përplasje mes tifozëve të Partizanit dhe Kukësit. Tifozët janë përleshur vetëm 5 minuta pasi kanë dalë nga stadiumi "Selman Stërmasi". /b.l/noa.al/