Transmetuar më 05-05-2017, 12:00

Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkojnë të rrëzojnë qeverinë e Kryeministrit Isa Mustafa, ndërsa kanë firmosur një mocion mosbesimi. Janë 40 përfaqësues të Parlamentit, nga partitë opozitare përfshirë NISMA-n, AAK dhe Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe eksponentë të partisë në koalicionin qeverisës, të cilët argumentojnë rënien e qeverisë.

Sipas deputetëve, vendi ka probleme madhore duke nisur nga resurset energjitike, ekonomia, shëndetësia, kapja e institucioneve kryesore shtetërore nga partitë në pushtet etj.

Në bazë të nenit 100 të Kushtetutës, i cili parashikon se mocioni i mosbesimit mund të ngrihet nga 1 e treta e deputetëve, ose thënë ndryshe nga 40 anëtarë të parlamentit, grupimi kërkon futjen e mocionit në rendin e ditës për seancën e ardhshme.

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ka sjellë herë pas here përplasje në koalicion, e cila mesa duket ka kulmuar me mocionin e mosbesimit. /k.k/noa.al/