Transmetuar më 05-05-2017, 11:41

Një studim i ri, i bërë së fundmi në Kanada, ka dalë në përfundimin se lejimi i fëmijëve të vegjël për të përdorur një smartphone ose tablet mund të çojë në vonesa për të folur.

“Pajisjet teknologjike janë kudo në ditët e sotme”, tha drejtuesja kryesore e studimit, Dr. Catherine Birken, pediatre dhe shkencëtare në Spitalin Fëmijëve në Toronto, të Kanadasë.

“Ndërkohë që udhëzimet e reja pediatrike sugjerojnë kufizimin e kohës që fëmijët e vegjël shfrytëzojnë para ekraneve teknologjike. Ne besojmë se përdorimi i telefonave inteligjentë dhe tabletave tek fëmijët e vegjël është bërë mjaft e zakonshme. Ky është studimi i parë që raporton një lidhje mes kohës që fëmijët harxhojnë në ekranet e pajisjeve teknologjike, i cili ndikon në rritjen e rrezikut për të folur me vonesë tek ta”, deklaroi Catherine në një konferencë për shtyp në Akademinë Amerikane të Pediatrisë.

Për të arritur në këto përfundime studiuesit realizuan një eksperiment, ku hulumtimi përfshiu rreth 9% të fëmijëve të Toronto, të moshës 6 muaj deri në 2 vjeç. Nga ky vëzhgim i zgjatur rreth 18 muaj, ata konstatuan se, 20% e fëmijëve që përdorën pajisje të tilla si aparate celulare, tableta dhe lojëra elektronike, mesatarisht 28 minuta në ditë, rrezikuan të flisnin me vonesë.

Birken dhe ekipi i saj thanë se sa më shumë kohë që një fëmijë shpenzonte në këto pajisje, aq më shumë kishte gjasa që ai ose ajo të shfaqte vonesa në të shprehur.

Ndërkohë që, studiuesit nuk gjetën një lidhje midis përdorimit të këtyre pajisjeve dhe vonesave të tjera të komunikimit, siç janë ndërveprimi shoqëror, gjuha e trupit ose gjestet, shkruan noa.al,

Studimi është planifikuar të paraqitet ditën e shtunë në takimin e Shoqatave Akademike Pediatrike, në San Francisko, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zbulimet që prezantohen në takime në përgjithësi konsiderohen si paraprake deri sa të publikohen në një revistë shkencore. /g.v/noa.al