Transmetuar më 05-05-2017, 08:14

Shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg, ka deklaruar se do të shtojë rreth 3 mijë persona në stafin e monitorimit të përmbajtjeve që përdoruesit postojnë në këtë media sociale.

Një vendim i tillë i Zuckerberg vjen si pasojë e videove të shpërndara kohët e fundit në Facebook, nga vende të ndryshme të botës. Një rast për t’u përmendur është videoja e regjistruar, e një burri që postoi duke vrarë vajzën e tij vetëm 11 muajshe.

Gjatë muajve të fundit, pamje me të shtëna, vrasje, përdhunime dhe sulme janë kthyer në fenomen për shkak se transmetohen në Facebook, nëpërmjet videove të drejtpërdrejta.

Në këtë mënyrë Facebook ka zgjedhur që mos e shqyrtojë përmbajtjen e postimeve para se të ngarkohet, por t’a fshijë atë automatikisht nëse postimi bie ndesh me protokollet e rrjetit social.

“Gjatë vitit të ardhshëm, ne do të shtojmë 3 mijë njerëz në ekipin tonë të operacioneve në mbarë botën. Ndërkohë, që sot në krye të kësaj detyre kemi 4.5 mijë persona që merren me vëzhgimin e miliona postimeve që bëjnë përdoruesit e Facebook”, u shpreh Zuckerberg.

Facebook është kritikuar për shkak të mungesës së etikës në pamjet me përmbajtje të pakëndshme. Video e një tajlandezi që vrau vajzën e tij 11 muajshe në muajin prill qëndroi në Facebook për 24 orë para se të hiqej dhe u pa nga mbi 370 mijë herë, nga përdoruesit në mbarë botën, shkruan noa.al.

Po ashtu, në mars, një vajzë 15 vjeçe nga Çikago, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u sulmua seksualisht nga pesë ose gjashtë meshkuj, të cilët e transmetuan videon e regjistruar drejtpërdrejt në Facebook. Më parë në prill, vrasja e Robert Godwin, një ish-punëtor uzine metalurgjike, 74 vjeç, u postua në Facebook dhe ishte në dispozicion për t'u parë për tre orë me radhë para se të hiqej. /g.v/noa.al