Transmetuar më 04-05-2017, 13:38
Publicitet

Në kuadër të përmirësimit të mëtejshëm të klimës së biznesit, është miratuar dje Vendimi i Qeverisë që synon të përmirësojë dhe thjeshtojë procedurat e nevojshme pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Ky vendim lehtëson aksesin në shërbimet e ofruara nga ky institucion, nëpërmjet reduktimit të kohës së aplikimit, në përfitim të bizneseve dhe qytetarëve. Vendimi përmban rregulla të thjeshtuara për paraqitjen dhe trajtimin e aplikimeve fizike pranë sportelit qendror të QKB-së, dhe sporteleve të shërbimit në territor, për paraqitjen dhe trajtimin aplikimeve on-line, procesin e vlerësimit të të gjitha aplikimeve që paraqiten pranë QKB-së në lidhje me regjistrimin e biznesit, apo publikimin elektronik dhe marrjen e informacionit nga baza e të dhënave e QKB-së.

Një aspekt tjetër i trajtuar është specifikimi i vendimeve që QKB-ja merr në vijim të aplikimeve që paraqiten në lidhje me regjistrimin e biznesit. Çdo do vendim i QKB-së në lidhje me miratimin, pezullimin apo refuzimin e një aplikimi i njoftohet me shkrim aplikantit në çdo sportel, pavarësisht nga vendi i kryerjes së aplikimit, si dhe në faqen zyrtare të QKB-së, jo më vonë se 1 ditë nga data e paraqitjes së aplikimit. 

Akti rregullon gjithashtu mënyrat e shkëmbimit të informacionit mes QKB-së dhe institucioneve të tjera sipas ligjit nr.9723, datë 3.5.2007, “Për Regjistrimin e Biznesit”, të ndryshuar.

Gjithashtu në kuadër të lehtësimit të procedurave dhe kostos për shërbimet ndaj biznesit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, u miratua ulja e tarifës për veprimet nëpërmjet sportelit elektronik nga  100 Lek në 0 Lek, si ulje e drejtpërdrejt e kostove për biznesin.