Transmetuar më 03-05-2017, 11:29

Ja shkuam në zgjedhje pa opozitën që duam nuk duam është Partia Demokratike dhe aleatët e saj. Ja edhe u bënë zgjedhjet. Ja edhe zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste. Por, çfarë do të dali që këtej? Një shtet monist. Askush nuk do ta njohë…

Nga Artan Fuga

Lidhur me krizën e fortë politike që përjeton këto muaj Shqipëria, herë pas here qytetari ka nevojë t’i përmbledhi mendimet e tij. Kjo bëhet më e spikatur, sepse kur je shprehur në rrjetet sociale dhe ndërhyrjet e bëra janë rimarrë nga mediat, nuk mungon të krijohen edhe paqartësi. Lidhur me to të pyesin njerëzit në rrugë, studentët pas mësimit, si edhe miqtë virtualë që nuk mungojnë hera herës edhe të kenë reagime pasionante për ose kundra atyre që shkruan.

Kalimi nga platforma e rrjeteve sociale ku unë shkruaj në shtypin linear në letër ose në web sigurisht që shkakton moskuptime të ndryshme. E para, sepse në rrjetet sociale postimet vijnë njeri pas tjetrit, dhe kuptohen vetëm po të merren në mënyrë sistemike, si tërësi, ndërkaq të botuara veçmas në media, komentet mbeten disi të varur në ajër. Pastaj edhe gjuha e rrjeteve sociale është disi dinamike, jozyrtare, dhe kërkon stilin e vet, çka në mediat lineare në letër ose në web duket si diçka e pakuptueshme dhe madje e papranueshme. E fundit arsye është se në rrjetet sociale shkruan në «të nxehtë», në orën dhe minutën që ndodh ngjarja politike, ose njihesh me të, kurse në mediat lineare ke pak kohë ta përmbledhësh mendimin.

Gjithsesi, duke përfituar nga dashamirësia e « Panoramës» që e ndjek dhe më ndjek me dashamirësi, diçka po përmbledh më qartazi. Nuk thonë kot që pushtet i katërt është vetëm media lineare dhe profesionale, kurse pushteti i pestë, media virtuale, rrjetet sociale, janë kritika e mediave klasike dhe profesionale lineare dhe jetojnë në simbiozë me to, pa i zëvendësuar kurrsesi dot.

Le të kthehemi te kriza politike e sotme. Ja çështjet që dëshiroj t’i përmbledh si qytetar, si studiues dhe si akademik :

1.A kemi kushtet për zgjedhje të lira dhe të barabarta?  

Kam thënë se nuk i kemi këto kushte. Nuk i kemi pasur dhe as i kemi. Kushtet këto katër vite janë përkeqësuar edhe më tej. A e ka përgjegjësinë fakti që me evoluimin e një kapitalizimi çamarrok dhe kaotik, krejt adoleshent te ne, i papjekur dhe fluturak, janë rritur pabarazitë, lidhjet e shkurtra midis pushtetit politik dhe atij ekonomik, është rritur ftohja dhe indiferenca e qytetarit për politikën, apo e kanë politikat e gabuara të ndjekura që ndofta mbajnë parasysh gjithçka, por asnjëherë nevojën për të thelluar demokracinë, këtë e trajtojmë në vend tjetër. Ka debate për këtë. Por, që kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë bërë më të vështira, pothuajse të pamundura, për këtë nuk besoj se mund të vihet nga ndokush në diskutim. Nga unë jo njëherë.

Unë jam dakord në këtë pikë me z. Lulzim Basha se me kushte të tilla të pandryshueshme, zgjedhjet janë vetëm dhe thjesht një fasadë. Pse :

-Ekonomia shqiptare u kanabizua keqazi nën hundën dhe nën syrin e pushtetit, madje edhe në bashkëpunim me individë me pushtet. A nuk e vërtetojnë këtë pushimet, qarkullimet që po ndërmerr ministri Xhafa në polici?  Kjo pra është një e vërtetë e mirëpranuar. Padyshim që kjo parà mjafton, del e tepron për të blerë vota nga shqiptari i varfër që nuk i sheh ndonjë dobi votës së tij sipas parimit « Selanik e tatëpjetë siç ka qenë ashtu do të jetë !»

-Administrata është e mbushur me militantë në nivel qendror dhe lokal, si edhe të gjitha pushtetet janë përqendruar në atë pikë saqë një qytetar duhet ta mbledhi mirë mendjen se po luan me bukën e fëmijëve të vet nëse del në mitingun e papërshtatshëm, bën propagandën e papërshtatshme, apo hedh votën për partinë e papërshtatshme. Se zgjedhjet e lira nuk janë vetëm atëherë kur e hedh votën edhe ajo numërohet saktë. Por, edhe kur ke të drejtë të zhvillosh lirshëm si qytetar aktivitet politik pa pasoja mbi ty dhe fëmijët e tu. Me premtime për vende pune dhe privilegje të tjera partitë në pushtet gjejnë mjete shumë më të fuqishme sesa opozita për ta manipuluar opinionin publik dhe marrë atij votën.

-Ligja elektorale jo vetëm funksionon mbi baza komisionesh zgjedhore të politizuara, por edhe nuk lejon qytetarin të votojë për deputetin, por për listat partiake të vendosura dhe të vulosura nga kryetarët e partive. Asnjë qytetar nuk e di se për cilin deputet ka shkuar vota e tij, madje edhe asnjë deputet nuk e mat dot fuqinë e vet elektorale në një zonë elektorale. Deputetët janë në ajër, kurse zgjedhësit të qorrollisur. Jam mëse i bindur edhe nga prova sondazhesh opinioni publik që po të bëhet një referendum për ligjën elektorale në fuqi, shumica dërmuese e shqiptarëve do ta kishin konsideruar atë me përbuzje dhe me neveri.

-Mediat audiovizive, por jo vetëm, me përjashtime të rralla, janë të politizuara, të njëashme, kundër opozitës dhe armiqësore me të. Kjo vjen si pasojë e orientimit të tyre politik por edhe e interesave ekonomike që i lidhin me tendera, leje ndërtimi, investime dhe lehtësira për to, e për dhjetëra shkaqe të tjera. Nuk ka nevojë të jesh studjues i mediave për ta kuptuar këtë, pra një vend më të rrudhur në media për opozitën.

Nê këto kushte është e qartë që çdo opozitë që do të hynte në zgjedhje, do të duhej të pranonte humbjen që më parë, pra edhe nja katër vjet, e më shumë në një pasivitet, pra si fasadë e një pushteti të centralizuar dhe që veç ndonjë loje retorike të enjteve në tv, as i bëhet vonë se ka ose jo opozitë dhe popull opozitar në këtë vend.

2. A kemi republikën që duhet?  

Unë mendoj se nuk e kemi. Dhe e kam përsëritur prej dhjetra herësh se këtë mendim nuk e kam sot, por prej vitesh e vitesh dhe të shprehur në librat e mi. Republika jonë është një shtet vetëm në fasadë demokratik, qytetarët nuk internohen më, nuk ndëshkohen për agjitacion e propagandë, por vetëm kaq. Pushtetet legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor nuk janë të ndara, por në të vërtetë janë një i vetëm. Shteti nuk është asnjëanës, por i bipolitizuar rëndë. Shanset e barabarta për qytetarin as në ëndërr nuk i ka parë njeri. Deputeti është i zgjedhur i partive dhe jo i popullit. Sovranitetin e popullit e kanë vjedhur partitë. Në thelb vendimmarrja politike sot në Shqipëri nuk është më shumë sesa në duart e tre a katër personave. Ne kemi pothuajse të njëjtat persona që prej dekadash mbajnë poste kyçe si deputetë në Kuvend dhe nuk luajnë prej andej prej vitesh e vitesh. Nëpunësi nuk është një burokrat, por një militant i politizuar dhe nuk ka asnjë meritë veç meritave si mbështetës i një partie politike. Drejtësia prej dekadash është në një gjendje që provon se kontrolli i saj prej presidentit të republikës si kryetar i këshillit të drejtësisë jo vetëm është i pamundur, por edhe një mekanizëm korruptiv dhe i padobishëm. Qytetari është i përjashtuar krejt nga vendimmarrja. Padrejtësitë dhe keqtrajtimet e tij vazhdojnë për dekada.

Kështu nuk vazhdohet më. Brezi që kënaqej me pak liri politike bazë tani e ka kryer misionin e tij. Të rinjtë kanë ardhur dhe duan të drejta të zhvilluara politike. Ata nuk e njohin despotizmin e mëparshëm dhe gjendjen e tyre nuk e krahasojnë me të kaluarën, por me atë që aspirojnë. Një pjesë e popullsisë ka emigruar dhe kur kthehen në atdhe kupton qartë dhe lehtësisht se sistemi ynë politik është jashtë kohe. Arkaik, i vjetër, i ndryshkur, budalla.

Reforma e institucioneve imponohet si një operacion kundër sëmundjes kanceroze. Në vend të një demokracie të zhvilluar kemi një politikokraci me të gjitha zgjatimet e veta. Politika nuk përfqëson më shoqërinë, por përfaqëson vetëm veten e saj. Politikanët janë një shtresë e privilegjuar dhe e pasur, bashkë me një shtresë sipërmarrësish, e pasuruar pa garë tregu, nën ombrellën e politikës dhe servile ndaj saj, si edhe një grushti të fortësh që kontrollojnë trafiqet ilegale të parave dhe të të mirave materiale.

3. A mund të shkohet në zgjedhje pa opozitën?

Unë kam mendimin se kjo është e mundur vetëm nëse ecim me shpirt aventure, me idenë të dali ku të dali, ose në tym, pa u thelluar shumë. Ja shkuam në zgjedhje pa opozitën që duam nuk duam është Partia Demokratike dhe aleatët e saj. Ja edhe u bënë zgjedhjet. Ja edhe zgjedhjet u fituan nga partia socialiste. Ja sikur edhe ajo të qeverisë vetëm dhe LSI të jetë në opozitë, çka duket e pamundur në konfiguracionin e sotëm ku presidenti i republikës ka nevojë për një grup të fortë parlamentar që të mos kthehet në kukull sikurse kanë qenë pararendës të tij për mungesë kompetencash. Por, çfarë do të dali që këtej?  Një shtet monist. Askush nuk do ta njohi. Investitorët nuk do të vijnë kurrë sado t’i lusin. Në Europë me një shtet monist nuk hyn dot as te pragu i portës jo më tutje. Imazhi i Shqipërisë do të bjeri në tokë më keq sesa ka rënë sot. Fqinjët do të na tregojnë me gisht. Cfarë kryeministri do të kemi kur të na përfaqësojë me partnerë të huaj në mbledhje e samite të larta ndërkombëtare, Nëpunësit do të dalin doresh krejt si pasojë e mungesave të opozitës. Ligjet nuk do të kenë oponencë. Shumë shpejt populli do të mërzitet edhe më fort sesa sot kur nga sondazhet del se për Kuvendin ka një imazh pothuajse të keq dhe përbuzës.

Kush është interesuar për këto zgjedhje?  Ku dihet se kush do të fitojë, por mbi të gjitha dihet se pavarësisht rezultatit se kush do të fitojë, fundi do të jetë një shtet monist. Është për këtë i interesuar Ilir Meta?  Nuk e besoj fare. Lulzim Basha, jo e jo. Por unë besoj ndoshta naivisht se për këtë rezultat zgjedhor mbi të gjitha nuk është i interesuar as vetë Edi Rama, lëre se çfarë deklaron e çfarë thotë.

Do të ishte fundi i një historie politike. Jo vetëm për lidershipin politik të vendit, por edhe për vetë qytetarët.

4.A mund të zëvendësohen zgjedhjet e lira me mosbindje civile dhe me pengesa për elektoratin që dëshiron të votojë?  

Unë mendoj se kjo nuk është e mundur. As kjo alternativë nuk na çon askund. E para sepse opozita ka të drejtë të mos futet në zgjedhje kur sheh se nuk i plotësohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka të drejtë edhe t’i bëjë thirrje elektoratin të saj të mos votojë, për të parë se çfarë rezultati del që andej. Eshtë e drejta e saj. Por, ajo pjesë e elektoratit që dëshiron të votojë ka të drejtën e vet për ta bërë këtë qetësisht, e pangacmuar dhe pa asnjë shqetësim social. E dyta sepse rrezikohet rëndë paqja sociale dhe qetësia publike. Mund të shkojmë drejt konfrontimeve që të dëmtojnë të gjithë shoqërinë. E treta sepse ja u bë edhe një revolucion demokratik, e pastaj?  Përsëri një shtet monizëm do të dali por me kahje të kundërt politike nga i pari. Pasojat për vendin dhe qytetarët do të jenë po ato.

Edhe kavajsit të bëjnë çfarë të duan me zgjedhjen e kryebashkiakut të tyre. Demokratët nëse nuk duan të mos votojnë, ata që duan të votojnë, të tjerët le të jenë indiferentë. Por, Kavaja duhet të jetë e qetë në 7 maj !

5. As zgjedhje pa opozitën, as mosbindje sociale si zgjidhje e krizës, por çfarë mbetet?

Dialog mes palëve, krijim qetësisht dhe me vendosmëri i kushteve për zgjedhje të lira. Askush nuk mund ta marri fitoren elektorale mbi tavolinë, por askush edhe nuk mund të shesi zgjedhje fasadë si gjoja zgjedhje demokratike. Më duket se në ditën kur përfaqësuesit e BE propozuan disa masa, u bënë disa hapa. Evitimi që qeveria politike të ndikojë zgjedhjet, që ligja elektorale të përmirësohet, që pushteti lokal të mos ngatërrohet në zgjedhje, që paraja e pisët të mos blejë zgjedhjet, që nëpunësit e korruptuar ose që nuk kanë bërë detyrën për rendin publik të largohen nga detyrat, etj. , këto janë masa që na japin mundësi për zgjedhje të lira. Nuk u bë qameti që një qeveri teknike të sigurojë zgjedhje të lira, por edhe nuk është e pamundur që me ndryshime qeveritare, por jo vetëm, edhe të krijohen kushte të lira për zgjedhje.

Zgjedhje të lira !

Paqe sociale !

Fushata elektorale të lira ku të fitojë ai që merr besimin e popullit që duhet të clirohet nga presionet, premtimet, shtysa në kërkim privilegjesh, nga frika se administrata dhe të fortët të bëjnë gjëmën etj.

Të gjitha partitë duhet të ulen në një tryezë të madhe dhe të na japin zgjedhje të lira dhe të na largojnë rrezikun e një monizmi të ri të majtë ose të djathtë.

Unë mendoj se kjo është e mundur. Nëse politika nuk është në gjendje të na japi një model të pranueshëm, nën monitorimin e të huajve, universitarët e paanshëm dhe të përgjegjshëm janë në gjendje ta bëjnë këtë. Eshtë e disata herë që ky propozim vjen.

6. Çfarë kam unë me deputetët e vjetër në përvojë apo ata që nuk janë ripropozuar si kandidatë?

Asgjë. Absolutisht asgjë. Një pjesë i kam të njohur. Në parim të gjithë i respektoj për atë që kanë mundur të bëjnë. Shoh atë që kanë bërë dhe jo atë që nuk kanë mundur të bëjnë dot. Mendoj se edhe po të kisha qenë vetë në vend të tyre, nuk di sesa do të kisha bërë ndryshe.

Por, kur shoh që ka deputetë me përvojë që kanë zymtim sepse nuk kanë rikandiduar, më duket pak e tepërt. Nuk është shumë për këdo të qendrojë njëzet vite deputet?  Me ndonjë përjashtim a nuk mund të thuhet se kjo nuk është normale?  Si do të rinovohen elitat, si do të përfaqësohen të gjitha moshat?  Si do të ndreqet gradualisht edhe mendimi negativ i elektoratit për Kuvendin?  

Kjo vlen edhe për deputetët e opozitës. Fjalët e mia nuk janë drejtuar kurrësesi kundër deputetëve që kërkojnë të hyjnë në zgjedhje në këto kushte kur zgjedhjet janë fasadë. Të shprehen është e drejta e tyre. Por, si qytetar u vendos në vëmendje rrezikun se mund të ndodhi që deputetët opozitarë të rinovojnë postet dhe kolltuqet e tyre, pa kërkuar që gjërat të ndryshojnë. Nuk akuzoj njeri, por nuk përjashtoj që opozitarizmin ndokush ta shohi në mënyrë të thjeshtuar si deri tani. Unë personalisht jam ndjerë i tradhëtuar nga mosveprimi i deputetëve opozitarë kundër ligjit të mbrapshtë klientelist për arsimin e lartë që e kritikojnë tani edhe zoti Bash edhe zoti Meta. Cfarë bën deputetët opozitarë për këtë?  Asgjë. Ata ruajnë kolltuqet, kurse ne si universitarë pësojmë pasojat negative të një ligji. Kështu nuk mund të vazhdojë dot më. Unë i kuptoj në të drejtën e tyre të kundërshtojnë taktikat e zotit Basha, punë e tyre. Por, kam të drejtë t’i pyes si qytetar : A mendojnë ata se republika e vjetër është ajo që ne shqiptarët meritojmë?  Si nuk dëgjova veç zotit Basha asnjë artikulim politik në këtë drejtim?  Mos kanë ardhur kohët kur deputetët janë larg popullit?  Se si shpjegohet që populli ka mendim negativ për Kuvendin ! Ka kush përgjegjësi për këtë?  Si nuk dëgjova një ide a shprehje të ndonjë deputeti për zgjedhjet fasadë dhe të padrejta?  Hyni në zgjedhje, por si?  Demokracia është rrotacion dhe rinovim i qeveritarëve dhe ligjvënësve. Qëndrimi i gjatë në kolltuqet e deputetëve, sigurisht me ndonjë përjashtim, është shenja se pushteti është uzurpuar sociologjikisht nga një shtresë që e ka kthyer politikën në një mekanizëm vetëriprodhimi të privilegjeve të veta, si deputet mazhorance apo opozite, ose herë mazhorance e herë opozite.

Kërkojmë si qytetarë që sita të tundet, ta bëjë punën e vet, por aspak që deputetët të mos shprehen. Se deputeti nuk është profesion.

Ja këto desha t’i paraqes lexuesve dhe qytetarëve të shumtë që anembanë vendit kanë të drejtë të pyesin: Si do vejë halli?

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al