Transmetuar më 01-05-2017, 18:49

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, publikoi këngën që do të shoqërojë fushatën e socialistëve deri më 18 Qershor.

“Nga të gjitha këngët e propozuar përmes një aplikacioni, është përzgjedhur muzika e krijuar nga David Guetta dhe Zara Larsson”, – njoftoi zyrtarisht kryeministri Edi Rama përmes një komunikimi publik.

Partia Socialiste në faqen e saj zyrtare shtoi se “madje Rama ka publikuar videon, por me versionin dedikuar kombëtares shqiptare për suksesin e arritur në Euro 2016”.

Kënga, sikurse njoftuan Rama dhe PS u përzgjodh mes 1797 propozimeve.

“Kjo këngë është përzgjedhur të na shoqërojë në rrugën drejt 18 qershorit të Fitores 2017”, deklaroi z. Rama.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njoftoi se shorti për ndarjen e çmimeve të fituesve mes propozuesve të “kësaj kënge fantastike” do të hidhet gjatë Kongresit të Partisë Socialiste, që do të zhvillohet në Ditën e Europës, më 9 Maj.

Kënga e njohur gjerësisht pasi na shoqëroi gjatë Kampionatit Europian të Futbollit vitin e kaluar, në videklipin e saj ka ekspozuar gjerësisht kompaninë turke të fluturimeve, “Turkish Airlines”.

NOA.al ju sjell në fotogaleri, disa nga pamjet e shkëputura nga videoklipi ku dominojnë imazhet e "Turkish Airlines", të cilat shihen edhe në video.

Disa njerëz në rrjetet sociale ku u publikua informacioni mbi këngën që shoqëron PS në fushatën e zgjedhjeve të 18 qershorit, duke konstatuar faktin se ky klip do të jetë zyrtari i fushatës së socialistëve, shprehen të habitur që imazhet që “Turkish Airlines” ka në të, bëhen pjesë e fushatës elektorale të një force politike.

Sipas tyre, në praktikën botërore, një gjë e tillë konsiderohet sponsorizim apo mbështetje. Po ashtu shihet me habi përfshirja e një kompanie private, në fushatën zyrtare për zgjedhjet nga një forcë politike.

Nuk dihet nëse kjo është një harresë apo neglizhencë nga stafi elektoral i Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama. Disa ekspertë të marketingut dhe PR, thonë se përfshirja e imazheve të një kompanie private gjatë një fushate elektorale të një partie, është e diskutueshme.

Reagimet e ndjekësve të Ramës në Facebook

Disa nga komentuesit te faqja zyrtare e Ramës në Facebook, shtrojnë pyetjen pse u zgjodh kjo këngë.

Mimoza K., thekson faktin se kjo këngë u krijua për Kampionatin Europian te Francës”.

Algen N. shkruan se pse nuk u bë një konkurs për të zgjedhur një këngë shqiptare, “apo më mirë paguajmë ca royalties David Guetta’s”.

Naser D. Ka një tjetër pyetje: “Ke marrë leje nga David&Zara për shfrytëzim te autorësisë? Munden me te hape probleme”. /noa.al/