Transmetuar më 01-05-2017, 18:15

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani reagon ndaj deklaratave të kolegëve demokratë Majlinda Bregu dhe Eduard Selami, të cilët i’u kthyen kundër kreut të opozitës Lulzim Basha.

“Këto janë kërcitjet e fundit. Mesa duket shtrëngata po mbaron dhe kohë e bukur do agojë”, shkruan Ristani në Facebook.

Ky reagim, ndonëse pa përmendur emra, vjen pasi Bregu dhe Selami kërkuan që PD të hyjë në zgjedhje, duke kundërshtuar rrugën e bojkotit.

Bashës i kthehen kundër të vetët, Bregu, Topalli dhe Selami: PD të hyjë në zgjedhje

Situata në Partinë Demokratike nuk është aspak e qetë, sidomos pas përfundimit të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe pas vendimit për bojkot.

Kryetarit të PD, Lulzim Basha, i janë kthyer kundër tre deputetë të vetët.

E para ishte Majlinda Bregu, e cila kërkoi që PD të marrë pjesë në zgjedhje, duke kujtuar edhe negociatat me ndërkombëtarët për të cilat tha sot se, ka heshtur këto kohë publikisht dhe është përpjekur me mish e me shpirt ta ndihmojë PD-në dhe Lulzim Bashën duke u përpjekur t’i bind miqtë e PPE të na vijnë sërish në ndihmë.

“Sot nuk mund të hesht më sepse edhe vetë ata që kurrë s’na kanë lënë vetëm më parë, që nga Presidenti Daul e deri tek i fundit në PPE, më përsërisin prej disa ditësh: “Na vjen keq po mesa duket nuk ju ndihmojmë dot më, sepse ju nuk doni të ndihmoni veten”, shkroi ajo në Facebook.

Pas saj, ka reaguar dhe deputeti Eduard Selami, i cili duke folur për ‘Zërin e Amerikës’, thotë se, Basha e përdori çadrën e protestës për të anashkaluar institucionet.

“Kam vënë re që zoti Basha e përdori çadrën jo më për një protestë paqësore por fatkeqësisht, me një retorikë populiste dhe me një gjuhë të papërshtatshme e përdori për të anashkaluar institucionet dhe me keq akoma, për të bojkotuar Parlamentin në një moment shumë të rëndësishëm siç është reforma në drejtësi që është e lidhur me rrugën integruese të Shqipërisë në Europë. Dhe më tej akoma në një retorikë të paprecedentë për të bllokuar dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhje e cila është mjaft e dëmshme për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike”, tha Selami.

Ndërkohë Jozefina Topalli është kontaktuar në media të ndryshme në vend, duke kërkuar qëndrimin e saj lidhur me vendimin e PD për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Ajo ka thënë se ka kërkuar prej kohësh të mblidhet grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

“Prej javësh kam kërkuar mbledhjen e grupit parlamentar, për të diskutuar për këtë temë, por nuk kam marrë përgjigje”, thotë Topalli. /a.y/noa.al

Bashës i kthehen kundër të vetët, Bregu, Topalli dhe Selami: PD të hyjë në zgjedhje

Bregu shpërthen ndaj Bashës: Kjo s’është rruga jonë, PD të hyjë në zgjedhje