Transmetuar më 29-04-2017, 17:51

Njoftim vlerësimi tatimor nga zyra, çfarë është dhe kur aplikohet ai

Tatimpaguesit duhet të bëjnë kujdes sepse nëse nuk dorëzojnë në afat një deklaratë tatimore, do të zbatohet procedura nga vetë Tatimet, nga zyrat e tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri sot të ditur se në çdo rast kur një tatimpagues nuk ka dorëzuar deklaratën/deklaratat e tij tatimore, për një periudhë tatimore, ai do të njoftohet nga ana e administratës tatimore me anë të dokumentit “Letër Kujtesë”, për mos përmbushjen e këtij detyrimi.

Administrata tatimore i dërgon tatimpaguesit “Letër Kujtesën” brenda 5 ditëve kalendarike nga përfundimi i afatit ligjor të deklarimit, me qëllim për t’i kujtuar tatimpaguesit të dorëzojë brenda 10 ditëve të ardhshme kalendarike, deklaratën e padorëzuar, që i përket një periudhe tatimore.

Në rast se mbas kalimit të afatit 10 ditor, nga data e nisjes së “Letër Kujtesës”, tatimpaguesi nuk ka plotësuar detyrimin e tij, për të dërguar apo dorëzuar në administratën tatimore deklaratën e padërguar për një periudhë të caktuar tatimore, administrata tatimore ka detyrimin të bëjë një vlerësim të detyrimeve tatimore të tatimpaguesit, sipas njërës prej metodave alternative, të parashikuara nga neni 72 i Ligjit.

Sistemi informatik do të nxjerrë një Njoftim Vlerësimi tatimor nga zyra, i cili i njoftohet automatikisht tatimpaguesit.

Kujdes!  Ky Njoftim Vlerësimi nuk mund të ankimohet në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, në rrugën e ankimit të akteve administrative tatimore.

Tatimpaguesi ka të drejtë, që me marrjen e "Njoftim Vlerësimit” të bërë nga ana e administratës tatimore, sipas parashikimit të kësaj pike, të paraqesë deklaratën e tij tatimore.

Vetëm në rastin e paraqitjes së deklaratës tatimore të padorëzuar më pare, me t’u bërë ky deklarim, automatikisht anulohet vlerësimi i detyrimit tatimor të bërë nga zyra prej administratës tatimore. Duhet të jeni të kujdesshëm, pasi: Nëse nga ana e tatimpaguesit, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftim-vlerësimit tatimor nga zyra, nuk është dorëzuar deklarata tatimore ose nuk është paguar shuma e detyrimit lidhur me të, administrata tatimore fillon procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore. Kjo procedurë ndiqet për çdo lloj deklarate tatimore e çdo tatimi lidhur me të. /noa.al/