Transmetuar më 29-04-2017, 15:10

Presidenti i Republikës u votua nga mazhoranca, por kriza institucionale vazhdon të thellohet me ritme edhe më galopante.

Kështu e ka politika kur ka mbaruar. Kujton se zgjidh një krizë duke prodhuar edhe farën e një krize edhe më të madhe në të ardhmen.

Për të përballur një krizë në rrugë dhe në votimet e ardhshme, u prodhua edhe fara dhe farsa e një krize institucionale edhe më të fortë, edhe më radikale, edhe më tronditëse e me pasoja të pallogaritshme në të ardhmen që nuk dihet ku do të na çojë poqese nuk shihet drejt e në sy.

Ditë të zeza e presin institucionalisht shtetin shqiptar.

Maqedonia ka konflikt, por ama është konflikt mes grupimeve politike që ekzistojnë dhe rivalizojnë lirisht në hapësirën institucionale.

Turqisë i marrim të keqen ne sepse atje ka opozitë, media të pavarura që luftojnë me autoritarizmin, ka ligj.

Shqipëria është shumë më keq. Ne deri tani kishim pluralizëm politik, ndërkaq nuk kemi pasur kurrë shtet të së drejtës.

Tani nuk kemi më as pluralizëm politik.

Nuk na jepen as mundësia të festojmë sepse morëm presidentin e ri, por humbën tërësisht pluralizimin politik.

Ironia cinike ku u arrit të thuhet që Presidenti i ri përfaqëson edhe opozitën sepse as në PD nuk gjendet një person që ta përfaqësojë atë më mirë, nuk e zgjidh çështjen!!!

Loja e fjalëve zëvëndësoi imagjinatën e shëndoshë politike.

Nuk kemi cfarë t’i bëjmë realitetit, e zëvendësojmë me lojë bajate fjalësh.

Ne jemi tanimë politikisht dhe institucionalisht krejt të papërcaktuar.

Jemi shtet pa model.

Pa emër institucional. As pluralizëm politik, as anarki e plotë, as diktaturë tërësore, as autoritarizëm, aristokraci jo e jo, demokraci është të fyesh emrin e përdorur kur mendon se çfarë pushteti kemi.

Me një fjalë jemi në një model shteti të pathënë, pa emër, të papërcaktuar, në çekuilibër, si rezultat i gjithë historisë sonë të gabuar institucionale në këta njëqind vjet, i një klase politike që nuk pati pjekurinë të mendojë për kombin, përtej interesave të vockla meskine të vetëpasurimit, si pasojë e një qytetari që më mirë merr këmbët në kokë dhe ikën në Gjermani a në Askundland sesa lufton dhe rreziston në atdhe, si pasojë e rivaliteteve gjeopolitike botërore që kalojnë këtu mes përmes Lanës që ende vjen era fekale, si pasojë e mungesës së traditave politike qytetare, dhe e modelit të munguar të biznesmenit që nuk është sipërmarrës, pra nuk është marrës – përsipër.

Shqipëria jetime, përtej një retorike paternaliste dhe nacionaliste që fsheh braktisjen totale të saj.

Kulturën e kanë lënë në dorë të atyre që e rrjepin me tendera dhe ja u lënë në dorë lopëve që mbushin vendet arkeologjike dhe monumentale me bajga që i nxjerrin sa nga poshtë sa nga lart.

Arsimi mos o Zot, nxënës që i kanë lënë në mënyrë kriminale në duart e administratorëve injorantë.

Ekonominë dhe financën e bëjnë të paaftë që falimenntojnë bankat kombëtare, i vjedhin, i kërdisin paratë tona pa krijuar vlerë.

Mbaroi edhe pluralizimi politik.

Jemi në ASKUNDLAND!

Në ajër.

Të trullosur nga kanabisi si bletët që nuk kthehen më në fole. Të errësuar nga sytë si lakuriqtë e natës.

Të budallallepsur nga propaganda bajate e llafazanëve që mbushin xhepat duke boshatisur kokat e shqiptarëve.

Presidentin mazhorrranca! Ta gëzojë!

Kryeministrin mazhorranca! Marrtë nga ditët tona!

Kryetarin e Kuvendit që Kuvend i thënçin si është katandisur, mazhorrranca. E paçim me jetë kur ta kemi!

Gjyqtarët do t’i emërojë mazhorrrranca! Hë më të lumtë jo!

Mediat. Mazhorrranca që i censuron nga Bashkia te Qeveria. Rrofshin sa malet!

Bashkitë. Përsëri mazhorrranca. Na marrtë të keqen armiku na martë!

Po administratën? Militantët e mazhorrrancës mbushur. Mbushur zyrat e shtetit dhe të bashkive me militantë të forumeve rinore partiake.

Cfarë do bëhesh kur të rritesh?

Antar partie mo!

Gëzuar Baftjar!

Avokatin e popullit? Pse populli do ta ketë? Mazhorranca përsëri.

Drejtorin e kopshtit zoologjik?

Mazhorranca!

Rojen e pallatit?

Mazhorranca.

Gjobavënësin e veturave parkuar keq në buzëtrotuare? Mazhorranca mo, pse kush?

Pastruesit e rrugëve?

Sigurisht mazhorranca.

Kush jep tenderat?

Mazhorrranca!

Po shkencën kush e bën?

Mazhorranca!

Ne jemi në askund dhe po shkojmë drejt murit.

Po populli?

Çelsat e kashtës! Dashke sovranitet për qytetarin. Populist!

Çelsat e kashtës dhe asistencën mujore!

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al