Transmetuar më 29-04-2017, 10:43

Një ditë pas votimit si President, paraditen e sotme Ilir Meta ka dalë në një komunikim me gazetarët nga Kryesia e Kuvendit.

Ai deklaroi se edhe pse mund të jetë kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim deri më 23 korrik, ka vendosur që sot në mbrëmje pas përfundimit të listave të kandidatëve për deputetë dhe dorëzimit në KQZ, të heqë dorë nga ky funksion dhe nga të gjitha funksionet drejtuese në parti.  

“Po kështu në listën e partive që do të dërgohen dhe që do të publikohen nga KQZ për qytetarët shqiptarë, në krahë të LSI nuk do te jetë emri i Ilir Metës, por i Petrit Vasilit, si zëvendëskryetar i partisë, i cili merr drejtimin e kësaj force politike, për të cilin do të shprehet Komiteti Drejtues Kombëtar në ditët në vijim. Nga dita e sotme çlirohem nga çdo raport partiak me Partinë Socialiste dhe drejtuesit e saj lidhur me marrëdhënien me koalicionin pasi këto kompetenca do i kalojnë zotit Vasili dhe LSI”, u shpreh Ilir Meta.

Ai bëri me dije se fushata e LSI do të drejtohet nga Petrit Vasili.

Meta tha se këto veprime janë në respekt të postit të Presidentit të Republikës, për të cilin tha se do ketë nderin të përfaqësojë nga 24 korriku.

Po ashtu ai u zotua se nga 24 korriku në pesë vitet e ardhshme pavarësisht çdo lidhjeje të ngushtë me LSI do jetë i paanshëm dhe do kontribuojë për stabilitetin dhe dialogun në vend.

Presidenti i zgjedhur deklaroi se bashkë me Presidentin në detyrë Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama dhe aktorë të tjerë politikë, do punojë që vendi të ketë një proces zgjedhor normal. Ai deklaroi se që nga nesër është i gatshëm për t’u takuar me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, për t’i dhënë zgjidhje situatës aktuale politike.

Ai tha se mirëkupton opozitën për mospjesëmarrjen në votimin e djeshëm për Presidentin e ri, ndërsa falënderoi Presidentin Bujar Nishani për telefonatën dhe mesazhin e menjëhershëm, duke shprehur konsideratën më të lartë.

Ai tha se pas konsultimeve me këshilltarët juridik, edhe pse detyrimet fillojnë pas betimit deri më 24 korrik dhe deri atëherë sqaroi se mund të vazhdojë me të gjitha angazhimet e tij, deklaroi se do jetë kryetar i Kuvendit deri në ditën e betimit si President i vendit.

Ai bëri me dije se të enjten e ardhshme do të jetë seanca e fundit plenare. Ndërsa lidhur me mungesën e ambasadorëve në seancën e djeshme, tha se është faji i tij, duke shtuar se mendoi se ishte një seancë normale dhe se ata do të jenë të pranishëm në seancën e betimit se, "nëse nuk do ishte zgjedhur Presidenti dje, çfarë do bënin atje?"/a.y/noa.al