Transmetuar më 29-04-2017, 09:09

Tre persona në Fier marrin peng një djalë të ri dhe e rrahin keqaz, për të ruajtur nderin e familjes. Të dyshuarit janë vëllezërit Hysni Malaj, 21 vjec dhe Anxhelo Malaj, 19 vjeç, dhe kushëriri i tyre S.Malaj, 48 vjeç, që të tre banues në fshatin Kreshpan, të Fierit.

Ata akuzohen se gjatë ditës së djeshme, e premte, në fshatin Kreshpan, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë marrë forcërisht dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 19- vjeçarit J.K., banues në fshatin Cakran, Fier.

Burime nga policia i thanë Noa.al se gjithçka ka ndodhur pasi i riu i marrë peng për disa orë, dyshohet se ngacmonte vajzën e 48- vjeçarit.

“Hiq dorë nga vajzë, mos na bëj me fjalë në fshat”, mësohet t’i kenë thënë kushërinjtë Malaj, J.K., ndërsa e kanë goditur me grushte dhe shqelma, teksa e kanë mënjanuar në një zonë në të dalë të fshatit.

Ata i kanë kërkuar që të mos i afrohej më vajzës adoleshente të S.Malaj, duke e kërcënuar se në të kundërt do e pësonte më keq.

Por pasi e lanë të lirë 19- vjeçarin, i dëmtuari me shenja dhune në trup, u paraqit në polici ku bëri denoncimin ndaj dhunuesve të tij.

Kjo bëri që efektivët e policisë të arrestojnë vëllezërit Hysni dhe Anxhelo Malaj, ndërsa është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e babait të vajzës, S.Malaj.

Lidhur me këtë rast hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” e kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al