Transmetuar më 29-04-2017, 08:57

Deputeti i Partisë Socialiste Vladimir Kosta, reagon lidhur me kërkesën që Prokuroria e Përgjithshme i bëri Komisionit Qendror të Zgjedhjeve këtë të premte, për heqjen e mandatit të tij, duke e akuzuar se kishte fshehur një dënim.

Gjithçka për shkak të një dënimi të dhënë ndaj deputetit të PS, në prill të vitit 2000 për armëmbajtje pa leje, vepër e cila rezulton e fshehur në formularin e vetëdeklarimit.

Deputeti i qarkut të Gjirokastrës, asokohe u dënua me një gjobë prej 100 mijë lekësh të vjetra.

Ai shpreh keqardhje për atë që e cilëson përdorim politik të institucioneve. Kosta thotë se është njohur nga mediat me një kërkesë që Prokuroria e Përgjithshme i ka bërë KQZ për mandatin e tij.

“Nuk dua të bëj komente mbi punën e institucioneve ligjzbatuese, por nuk mund të lejoj të më përdhoset emri dhe imazhi im. Rasti im është i njëjtë me atë të 19 deputetëve të tjerë që bënë shtesa në formularin e dekriminalizimit, pasi kishte kaluar afati ligjor. Në rastin tim kisha harruar një gjobë 10.000 lekë të marrë në vitin 2000. Ishte një gabim njerëzor dhe jo fshehje të dhënash. Më pas është çdo gjë e deklaruar. KQZ e mori një herë në shqyrtim formularin tim dhe nuk konstatoi shkelje”, shkruan Kosta në Facebook.

Ai shton se nuk e kupton se ku do të dalë Prokuroria me ato që i quan fluska sapuni. Sipas tij, shtesa në formular bënë edhe mjaft deputetë tjerë dhe nuk pati asnjë kërkesë të tillë.

“Po për Sali Berishën etj., pse nuk kërkojnë heqje mandati? Do ju kërkoja dhe mediave të ishin të kujdesshme kur shkruajnë se unë kam “fshehur” të dhënat në formular. Po postoj një kopje të dokumentit zyrtar që kam dorëzuar për tu treguar se Prokuroria ose nuk di ose nuk ka dashur ta lexojë”, thotë deputeti i PS, në mbyllje të një postimi të bërë në Facebook. /a.y/noa.al

Prokuroria kërkon ndërprerjen e mandatit të deputetit të PS: Fshehu dënimin