Transmetuar më 29-04-2017, 08:14

Kapen me kokainë në makinë dy persona, një komando ushtrie dhe një ish- polic të cilët prej kohësh mbaheshin nën vëzhgim nga policia.

Një operacion i bluve të kryeqytetit i koduar “Last Service” gjatë pasdites së djeshme zbuloi 301 gramë kokainë.

Drilon Shqau, 31 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë komandant skuadre në Repartin Ushtarak Pezë Helmës dhe Vehbi Teqja, 48 vjeç, banues në Tiranë, ish punonjës policie, u arrestuan në kushtet e flagrancës.

Ndaj tyre kishte informacione se shpërndanin kokainë, në zonën e njohur si “Vorri i Bomit” dhe ata u kapën teksa kishin dalë për të shitur.

Shqau dhe Teqja u arrestuan pasditen e së premtes, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 301 gramë kokainë, një automjet i tipit “Mercedes Benz”, si dhe katër aparate celulare të markave të ndryshme.

Ndaj të ndaluarve vijojnë ende hetimet, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” në bashkëpunim. /a.y/noa.al