Transmetuar më 28-04-2017, 21:06

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferri deklaroi sot se përgjegjësia kryesore për atë që ndodhi të enjten në Parlamentin e Maqedonisë është e Nikola Gruevskit dhe retorikës së tij VMRO-DPMNE.

Në një intervistë për “Info Magazine” të Klan Kosovës, Xhaferri tha se për momentin nuk janë ende kushtet për zhvillimin e detyrës së kryeparlamentarit, për shkak të shkatërrimeve që i kanë ndodhur parlamentit nga huliganët.

“Në bazë të fushatës që është bërë dhe në bazë të deklarimeve dhe qëndrimeve partiake nuk përjashtohet roli i tyre (Gruevskit dhe partisë së tij) në nxitje të kësaj atmosfere dhe normal që institucionet ekzekutive në qeverinë teknike ende janë në duart e tyre", deklaroi Xhaferri, duke shtuar se përgjegjës është edhe "presidenti Gjorge Ivanov me qëndrime anti-kushtetuese”.

“Kemi vendosur që të mos paraqitemi në Parlament dhe s'ka pasur kushte teknike dhe hapësinore për t'u kryer detyra. Duhet të rikthehet rregulli e të mundësohet funksionimi normal i administratës”.

Xhaferri foli edhe për gjendjen shëndetësore të deputetit Ziadin Sela. “Pas raportit të mjekëve gjendja e tij është stabël, jashtë rrezikut për jetën. Ai ende po trajtohet, por shpresoj se shumë shpejt do të kthehet në aktivitetin e tij në Parlament”. /b.l/noa.al/