Transmetuar më 28-04-2017, 18:26

Pasi mori votat e nevojshme për të qenë Presidenti i ri i vendit, Ilir Meta iu drejtua me një fjalim deputetëve të pranishëm. Pa letër, por me mesazhe të qarta, Meta apeloi për më shumë përgjegjësi në këto ditë vendimtare për demokracinë, duke bërë thirrje që të bëhet gjithçka që në zgjedhje të shkohet me praninë e të gjitha partive politike.

Meta tha se ka ende kohë për të shmangur një “Maqedoni” të dytë në Shqipëri, sepse qytetarët kanë të drejtë të jetojnë të lirë në një vend demokratik.

“Do t’u lutesha të gjithëve, edhe ata që mungojnë, të përpiqemi në këto ditë t’u japim gjithë partive dhe qytetarëve që të kontribuojë në zgjedhje demokratike. Dje kemi parë ngjarjet tronditëse në Maqedoni, të cilat vijnë për shkak të një konflikti kokfortësie të papranueshme, ndaj unë dua t’u apeloj të gjithëve të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit, që mos sakrifikojmë gjithë këto arritje të këttij mandati dhe kësaj legjislature”, tha Meta.

Kreu aktual i Kuvendit, i zgjedhur sot President, përmendi edhe afatet kushtetuese, por për të mirën e demokracisë dhe mirëfunksionimin e saj, ka vend edhe për durim.

“Janë disa afate, por në demokraci duhet të presim, të japim dhe investojmë për të rritur mirëbesimin dhe për ta mbrojtur demokracuinë. Ende ka kohë për të krijuar një atmosferë krejtësisht tjetër për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që edhe në 24 korrik, kur të betohet Presidenti, jo vetëm kjo sallë të jetë plot por Shqipëria të jetë më e qetë”.

Në fjalën e tij, Ilir Meta falenderoi edhe deputetët e opozitës, që nuk ishin prezentë në sallë, duke deklaruar se edhe kjo ishte një arsye e fortë se përse ai mori vendimin për të kandiduar për postin e Presidentit. /k.k/noa.al/